Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 12:20

Ministrat e jashtëm të BE nesër nuk pritet të vendosin asgjë lidhur me caktimin e datës për Maqedoninë për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Ky vendim pritet të jetë përfundimtar në takimin e ministrave të jashtëm që do të zhvillohet nesër dhe ku do të jetë vendimi final për Shkupin.

Ambasadorët e vendeve anëtare në takimin maratonik të zhvilluar gjatë fundjavës në kuadër të grupit Koreper 2, nuk kanë arritur që  të dakordohen në pjesën e konkluzave për Maqedoninë, lidhur me propozimin që KE të rekomandoj datën për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Maqedonia deri tani ka pasur katër rekomandime pozitive për nisjen e negociatave për anëtarësim si dhe ky vend tashmë ka plotësuar vitin e shtatë që ka fituar statusin e vendit kandidat.

Nikos Hristodulidis, zëdhënës i presidencës qipriote në BE theksoi se ambasadorët nuk kanë arritur koncensus lidhur me konkluzat për Shkupin. “Të martën do të dihet gjithçka dhe se FYROM  a do të nis negociatat për anëtarësim në BE, sepse nuk ka marrëveshje për këtë vend”, deklaroi Hristodulidis.

Ndërkohë, qarqe diplomatike pranë Komisionit Evropian (KE) në Bruksel paralajmërojnë se për Maqedoninë po përgatitet veto e dyfishtë.

Autoritetet e Shkupit do të marrin një veto të dytë, që do të kushtëzojë vendin që të zgjidh emrin dhe më pas të vazhdojë me procesin e integrimit në BE. Televizioni Alfa ka raportuar se në takimin e së martës të ministrave të jashtëm të BE-së, po përgatitet një skenarë që Maqedoni mund të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në qershor 2013, por vetëm me kushtin që gjatë gjashtë muajve të ardhshëm të ketë përparime në zgjidhjen e kontestit të emrit.

Sipas televizionit maqedonas, për këtë skenarë po angazhohet evrokomisioneri për zgjerim, Shtefan Fyle.

Burime diplomatike në Bruksel këtyre dy ditëve kanë zhvilluar takime intensive se çfarë do të jenë konkluzionet për Shkupin dhe lidhur me fatin e këtij vendi në planin e integrimit dhe kushtëzimet për fillimin e negociatave për anëtarësim. (INA)