Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 14:30

Zyrtarë amerikanë deklaruan për CNN se avionë luftarakë rusë fikën pajisjet e tyre gjurmuese ndërsa hynë në hapësirën ajrore siriane, në një përpjekje në dukje për të shmangur zbulimin.

Sipas zyrtarëve amerikanë, avionët luftarakë rusë fluturuan në afërsi të një avioni transporti, por nuk mundën që t’i fshiheshin diktimit nga satelitët. Tashmë është e qartë se veç tankeve dhe personelit nga toka, Rusia ka dërguar në Siri edhe avionët luftarakë, duke përforcuar edhe më shumë bazën e saj në afërsi të qytetit të Latakias.

Në zonë nuk ka luftëratë të Shtetit Islamik, armiku i deklaruar i Rusisë, dhe dislokimi i forcave ruse atje ngre shumë pyetje për qëllimet e Rusisë. Veprimet e Moskës sugjerojnë se plani i Rusisë është që të mbështesë presidentin sirian Bashar al Asad dhe jo të luftiojë grupin terrorist. Kjo mbështetet edhe nga raportet që vijnë nga terreni, ku mësohet se grupet rebele siriane tashmë kanë nisur sulmet ndaj forcave ruse. Video të publikuara në internet shfaqin luftëtarë rebelë që lëshojnë mortaja dhe raketa ndaj pozicioneve të ushtrisë siriane në Latakia ku gjenden edhe forcat ruse. Ndërkohë, televizoni shtetëror sirian ka shfaqur pamje të mjeteve të koracuara ruse që janë në vijën e frontit dhe marrin pjesë në luftime, megjithëse nuk dihet nëse ato drejtohen nga rusët apo ushtria siriane. Rebelët premtojnë se rusët nuk do të gjejnë paqe në Siri, pasi qëllimi i tyre është të ndihmojnë Sadin, armikun kryesor të rebelëve.

Më herët i pyetur nga mediat për situatën në Siri dhe hyrjen e aktorit të ri, pikërisht Rusisë, sekretari amerikan i mbrojtjes Ashton Carter tha se duhet parë se çdo të bëjnë forcat ruse. Ai tha se shpreson që Rusia do të angazhohet kundër Shtetit Islamik, por nëse thjesht do t’i hedhë benzinë zjarrit në Siri, kjo nuk do të jetë aspak produktive.