Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 08:00

Bruksel – Komisioni Evropian sërish rekomandoi hapjen e negociatave për Maqedoninë, por pa datë, ndërsa Shqipëria ka arritur të fitojë statusin e vendit kandidat.

“Maqedonia nuk mundet gjithmonë të presë para dyerve të Bashkimit Evropian”, ka qenë fjala hyrëse e evrokomisionerit për zgjerim, Shtefan Fyle, gjatë shpalosjes së raportit të progresit.  Sipas tij, afrimi i vendit drejt familjes evropiane në fazën e ardhshme të evrointegrimeve do të ndihmonte në paqen dhe stabilitetin e reformave. 

“KE është e përgaditur për të prezantuar pa asnjë prolongim planin për kornizën e negociatave, ku gjithashtu merret parasysh edhe nevoja e zgjidhjes së kontestit të emrit”, nënvizohet në raportin e progresit, duke shtuar se hapja e negociatave do të ndihmonte krijimin e kushteve për zgjidhjen e kontestit. 

Në raport inkurajohen dyja palët që të bëjnë çdo përpjekje të mundshme në drejtim të zgjidhjes së kontestit, ndërsa një zgjidhje e pranueshme kompromisi midis dyja palëve mbetet çështje thelbësore. “Zgjidhja e kontestit duhet të ketë një zgjidhje pa prolongime plotësuese”, thekson raporti. 

Komisioni Evropian vlerëson se me hapjen e negociatave do të forcohen marrëdhëniet ndëretnike dhe nga kjo rajoni i Ballkanit në tërësi do të ketë interes. KE rekomandon përmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Në pjesën e funksionimit të Qeverisë theksohet se vazhdon bashkëpunimi brenda koalicionit qeveritar dhe se Qeveria në mënyrë efikae ka bashkërenduar implementimin e Dialogut të nivelit të lartë paraqasës në BE.  Gjithashtu nënvizohet edhe nevoja e përshpejtimit të procesit të decentralizimit në planin praktik. 

“Në administratën publike ka përparime të caktuara. Shërbimet ndaj qytetarëve janë përmirësuar, po aplikohet sistemi elektronik. Janë të nevojshme përpjekje plotësuese për të garantuar transparencë, profesionalizëm dhe administratë të pavarur publike. Gjyqësori dhe legjislativi janë në rregull, por duhen përpjekje më të mëdha për të garantuar pavarësinë e tyre”, thuhet në raport, duke paralajmëruar edhe përpjekje më të mëdha që duhet bërë në reformat në gjyqësor dhe implementimin e ligjeve. Në fushën e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve nuk ka vërejtje të mëdha dhe se janë shënuar përparime. (LajmeShqip.com)