Lajme Shqip e Mërkurë, 20 Qershor 2012 18:14

Qeveria e Kosovës ka nisur mbledhjen e radhës me një minutë heshtje për të shprehur keqardhje për vdekjen e kreut të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, i cili ka ndërruar jetë javën e kaluar.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se mekanizmat përgjegjës vendorë e ndërkombëtarë duhet t’i hetojnë të gjitha rrethanat e vdekjes së Asanajt për ta zbardhur rastin.

Thaçi ka thënë se  do të shqyrtohen të gjitha rrethanat dhe shtytjet që ndikuan  në vdekjen e dhunshme të Asanajt, qoftë të veprimeve subjektive apo objektive, të shantazheve të bëra edhe publike nga individë apo grupe kriminale dhe mafioze, të cilët nuk e pranojnë ekonominë e lirë të tregut . 

“Ne në Kosovë në shtetin tonë të ri nuk do të lejojmë me asnjë çmim që shantazhi, kërcënimi dhe dhuna të bllokojë ekonominë e lirë të tregut dhe konkurrencën. Zotëri Asanaj ka punuar shumë për vendin në kohën e çlirimit, në kohën e përpjekjeve për liri dhe shtetbërje, prandaj do të respektohet gjithmonë nga shteti dhe qytetarët e Kosovës. Institucionet do të kërkojnë që rrethanat dhe shtytjet që quan në vdekjen e Asanajt të investigohen prej gjithë mekanizmit vendor dhe atij ndërkombëtar, kompetent për këtë çështje”, ka thënë kryeministri Thaçi në hapje të mbledhjes së Qeverisë. (LajmeShqip.com)