Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 18:14

Bruksel – Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë arritur të gjejnë pajtim në lidhje me telekomin dhe energjetikën, edhe pas negociatave disa orëshe për ditë të tëra në Bruksel.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila tha për REL se delegacionet nuk arritën të gjejnë zgjidhje në nivelin teknik.

“Takimi i sotëm [i kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq] është një përpjekje për të arritur më shumë progres në këtë proces. Jam e sigurt se ata do të vlerësojnë fillimisht të gjithë atë që është bërë në tri javët e fundit, ku në nivele të ndyshme ka progres të ndryshëm, për çështjet që kemi shtjelluar. Ky mund të jetë takimi i cili do të shënoj një progres të ri ose marrëveshje të reja. Në këtë moment, unë nuk mund të them më shumë sesa që shpresoj se do të ketë më shumë progres”, Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë.

Delegacioni serb, nuk ka dhënë asnjë sqarim pas takimit se ku kanë ngecur negociatat, apo për cilat çështje nuk po arrijnë të tejkalojnë dallimet.

Ndryshe sipas kryesueses së delegacionit kosovar në bisedimet teknike, në diskutimet e deritashme është arritur një lloj pajtimi për drejtësinë dhe sigurinë, përfshirë zhbërjes së strukturave paralele, dhe integrimit të serbëve që janë të interesuar të përfshihen në strukturat kosovare.

Mirëpo për telekomin, sipas zëvendëskryeministres Tahiri, çështja e kodit telefonik ndërkombëtar mbetet pezull, pasi Serbia vazhdon të insistoj që ajo të aplikojë në emër të Kosovës për marrjen e prefiksit nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU).