Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 15:24

Penian – Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut kanë përfunduar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të cilat u kryen në një moment tensioni të lartë me Korenë e Veriut.

Peniani është acaruar nga stërvitja e përvitshme dymujore, e njohur si “Shqiponja e Vogël”, që nisi vetëm pak kohë pas testit të tretë të tij bërthamor në muajin shkurt.

Në stërvitje u përfshinë rreth 10 mijë trupa amerikane dhe homologët e tyre koreanë, të cilët simuluan sulme në tokë, ajer dhe det, si dhe operacione speciale.

“Stërvitja ka përfunduar por ushtarët e SHBA dhe Koresë së Jugut do të vazhdojnë të ruhen për provokime të mundshme nga Veriu, përfshirë nga lëshimi i ndonjë rakete”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë koreane të Mbrojtjes, Kim Min Seok.

“Ne vlerësojmë se stërvitja ka pasur një rezultat të madh. Gjithashtu, ajo u drejtua nga ushtarakët koreano-jugorë, duke qenë një shans i mirë për të testuar kapacitetet e ushtrisë tonë”, ka shtuar ai.

Në kuadër të stërvitjes dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga Peniani, SHBA fluturuan edhe dy avionë “stealth” të tipit “B-2” dhe dy “B-52” me kapacitete bërthamore, duke acaruar edhe më tej lidershipin e Koresë së Veriut.

Të hënën, një gazetë koreano-veriore e cilësoi stërvitjen ushtarake si “prova sulmi” që po e çojnë situatën në Gadishullin Korean drejt një lufte bërthamore.

Ndërkohë, shtatë punëtorë koreano-jugorë kanë mbetur në një zonë industriale të përbashkët në Korenë e Veriut. Probleme administrative kanë vonuar nisjen e tyre nga kompleksi Kaesong. (LajmeShqip.com)