Lajme Shqip Sunday, 29 June 2014 20:33

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se i ka dërguar kryeministrit shqiptar, Edi Rama, një letër urimi me rastin e marrjes së statusit kandidat për në BE. Ai shtoi më tej, se letra e dërguar kreut të ekzekutivit shqiptar ishte mirëpritur nga qeveria. Këto deklarata kryeministri serb i ka bërë gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso në Beograd. Ai tha se do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë në vjeshtën e këtij viti. 

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, deri pak muaj më parë kryeministër i Serbisë, nuk e fshehu zhgënjimin kur tha se Shqipëria ishte një mes vendeve që përveçse nuk ofruan mbështetje për të përballuar fatkeqësinë natyrore të majit, nuk dërguan as edhe një telegram ngushëllimi.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Serbi, ku u takua me zyrtarët më të lartë vendas për të diskutuar për procesin e integrimit evropian të Serbisë. 

Në prag të vizitës në Beograd, Borroso deklaroi se Serbia është “vend shumë i rëndësishëm për BE-në” dhe se ka realizuar përparime të rëndësishme në integrimin evropian. 

Në deklaratë Barroso thekson se krahas Serbisë ka në plan të vizitojë edhe “vendet e tjera në rajon që kanë bërë përparim në rrugën evropiane” duke shtuar se nga Beogradi do të udhëtonte për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Ndërsa Vuçiç tha se anëtarësimi në BE mbetet prioritet madhor i qeverisë së tij, Barroso nga ana tjetër premtoi të gjithë mbështetjen e Unionit. Dhe në rrugëtimin drejt BE-së, Barroso theksoi dhe mbështeti rëndësinë e dialogut me Kosovën.