Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 12:58

TIRANE – Revista e famshme amerikane “Archae ology” që shtypet nga Instituti Amerikan i Arkeologjisë, ka botuar në numrin e saj të prill/majit një artikull mbi dëmtimin e afreskeve të famshme të Onufrit. Kjo revistë, me mbi 3 milionë kopje, më e madhja në botë, i ka dedikuar një shkrim problemit të dëmtimit të kishës së Valshit, si dhe humbjes së madhe që ky dëmtim i solli kulturës shqiptare.

 Një revistë me shumë ndikim në qarqet universitare dhe intelektuale amerikane dhe europiane, denoncimi i vjedhjeve të Onufrit prej saj e bën këtë lajm tashmë prezent në nivele të larta shkencore të trashëgimisë kulturore botërore. “Afresket e Onufrit” – shkruan revista e famshme – “u dëmtuan dy herë në kapërcyellin e vitit të ri, si dhe javën e parë të vitit 2013, duke treguar qartë neglizhencën shtetërore mbi këtë pasuri të jashtëzakonshme të artit kishtar në Shqipëri”. 

E denoncuar nga dy ekspertë të trashëgimisë kulturore shqiptare, deputeti Auron Tare dhe arkitekti Artan Shkreli, kjo vjedhje u kthye në një debat të ashpër në median dhe publikun shqiptar, duke treguar qartë paaftësinë e madhe shtetërore për të ruajtur pasurinë kulturore shqiptare. Forumi i Trashëgimisë dhe zëra të tjerë nga bota intelektuale kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Kulturës së kohës, Aldo Bumçi.(LajmeSHqip.com)