Lajme Shqip Saturday, 23 March 2013 14:25

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në New York se nuk do të lejohet krijimi i një republike të dytë serbe në Kosovë. Këtë qëndrim e ka shprehur gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku është diskutuar mbi raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për Kosovën, i cili ka kapur periudhën prej tre muajsh, përkatësisht nga 16 tetori i vitit të kaluar e deri më 15 janar të këtij viti.

Thaçi ka thënë se procesi dialogues në Bruksel tashmë është pothuajse në fazën përfundimtare.

“Fatkeqësisht, në tre muajt e fundit, pala serbe ka ofruar një platformë e cila kërkon autonomi territoriale për serbët e Kosovës dhe krijimin e një entiteti të veçantë në Kosovë. Ngjashëm më vonë Serbia ka propozuar asociacionin apo bashkësinë e komunave serbe në Kosovë duke kërkuar që ky asociacion apo bashkësi të ketë kompetenca ekzekutive dhe legjislative dhe të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka thënë ai. “Edhe ky propozim është një përpjekje e dështuar për të krijuar një nivel të tretë qeverisës në Kosovë e që bie në kundërshtim me rendin tonë kushtetues të ndërtuar së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Ai ka shprehur brengën e Prishtinës se propozime të tilla kanë tendenca për të krijuar një republikë serbe të re në Kosovë, e cila do ta bënte shtetin jofunksional dhe jostabil, do të komplikonte konsensusin e brendshëm politik, do të stagnonte integrimin evropian, do të stagnonte integrimin e pakicave në Kosovë, do të dëmtonte decentralizmin e suksesshëm në Kosovë, si dhe do të përçante popullatën shumicë dhe tërë investimin politik dhe ekonomik ndërkombëtar në 14 vitet e fundit në Kosovë.

“Një ide e tillë në Kosovë është e parealizueshme. Jemi dëshmitarë se aranzhime të atilla në rajon janë bërë pengesa strukturale për paqe dhe pajtim etnik, për demokraci dhe qytetari multietnike, si dhe qeverisje efektive”, ka thënë Thaçi. 

Thaçi ka theksuar se është me rëndësi që ritheksohet përkushtimi dhe vendosmëria ndërkombëtare se ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor, si dhe çdo tendencë për riaranzhim territorial mund të destabilizojë rajonin dhe të nxitë përçarje etnike dhe probleme të tjera.

Sipas tij, Plani i Ahtisaarit, i sponsorizuar nga OKB-ja, u mbetet oferta me gjeneroze e mundshme e cila u ofron serbëve në Kosovë hapësirë shumë të gjerë vetëqeverisëse dhe mundësi për t’i realizuar të drejtat e tyre politike, socio-ekonomike dhe kulturore.

Thaçi i ka bërë thirrje Serbisë që të shpërbëjë strukturat ilegale në veriun e Kosovës.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të shpërbëjë këto struktura ilegale të sigurisë dhe të gjyqësisë dhe të ndalojë përpjekjet për të krijuar tensione në Republikën e Kosovës. Thirrja jonë nuk është e vetmuar, por ajo përkrahet nga një numër i madh shtetesh që kanë investuar shumë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, duke përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë ai. “Situata në komunat veriore, përveçse ka ndarë padrejtësisht serbët e Kosovës në ata të Jugut dhe të Veriut, po ashtu përmes metodave të frikës dhe shantazhit synon të mbajë peng edhe integrimin e tyre në institucionet e Kosovës”.

Sipas tij, liria e lëvizjes është e penguar edhe për prezencën ndërkombëtare të KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët nuk janë në gjendje që të përmbushin misionin e tyre.

“Jemi dëshmitarë për skenarë të tillë edhe në Bosnjë, dhe në Kroaci gjatë luftës së viteve ‘90. Por dua t’ju risiguroj se Republika e Kosovës nuk do të jetë vend i ndarjes dhe barrikadave. Apo pretendimit për të ndërtuar një republika sërpska të re”, është shprehur Thaçi. “Diçka e tillë nuk do të lejohet”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, në fjalën e tij ka thënë se Serbia ka interesim për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon”, mirëpo njëkohësisht duke shprehur kundërshtimin ndaj pavarësisë, siç e ka quajtur ai, të njëanshme të Kosovës.

“Serbia është e gatshme që dialogu të ketë sukses, por nuk është e gatshme për nënçmime dhe standarde të dyfishta. Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj parimor për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Daçiq. “Dialogu është neutral ndaj statusit dhe asnjë marrëveshje që do të arrihet në Bruksel, nuk do të çojë në pranimin tonë të pavarësisë së njëanshme të Kosovës”.

Sipas tij, Serbia është përkushtuar që problemet të zgjidhen me dialog.

“Dialogu është mundësia e vetme që sheh Serbia për zgjidhjen e problemeve. Duam që të zbatohen të gjitha marrëveshjet. Në Bruksel kemi biseduar për shumë çështje. Nikoliq është takuar me Jahjagën dhe kjo dëshmon se qëndrimi politik i Serbisë respekton ndryshueshmërinë  në Kosovë sipas Rezolutës 1244”, ka thënë Daçiq. “Duam paqe… Jemi për të vazhduar procesin e pajtimit, por për të arritur këtë qëllim duhet gatishmëri e palëve në dialog, por nuk do t’i nënshtrohemi plotësisht procesit”.

Ai është shprehur se pasi faktet tregojnë se gjendja është jostabile e brishtë për serbët në Kosovë. Daçiq ka akuzuar autoritetet e Kosovës, të cilat, sipas tij, nuk kanë krijuar ambient të sigurt për serbët e Kosovës. Ai ka pohuar se ata nuk i gëzojnë të drejtat e tyre, as në lëvizje të lirë dhe as në përdorim të gjuhës së tyre amtare dhe se po u shkelen të drejtat elementare të njeriut.

“Sot janë bërë nëntë vjet nga ngjarjet e marsit kur janë vrarë 19 persona, janë vrarë shumë serbë dhe janë spastruar shumë fshatra dhe janë shkatërruar shumë monumente, përfshirë ato nën mbrojtjen e UNESKO-s… Askush nuk është dënuar dhe ne duam që krimi të mos mbetet pa u dënuar”, ka thënë ai.

Daqiç ka kërkuar që roli i UNMIK-ut të mbetet i pandryshuar, pa marrë parasysh problemet buxhetore. Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë brengoset për procesin e privatizimit, duke thënë se ai është kundërligjshëm.

Ai ka thënë se “Trepça” është e Republikës së Serbisë dhe ajo ende paguan për të. Po ashtu ka kërkuar nga EULEX që të punojë më shumë dhe të mos e vërë në pyetje neutralitetin për statusin.

Përfaqësuesi i SHBA-së, i cili e ka filluar fjalën, duke e përgëzuar Kosovën në pesëvjetorin e pavarësisë së saj, ka vlerësuar kryeministrat e dyjave vendeve për përkushtimin e shprehur në dialog.

“Kryeministrat janë afër marrëveshjes dhe ne i inkurajojmë ata që këtë ta bëjnë në seancën e radhës së këtyre bisedimeve”, ka thënë ai. Përfaqësuesi i SHBA-së e ka shprehur brengën e shtetit të tij për dhunën e shfaqur kohëve të fundit në veri të Kosovës kundër, siç ka thënë, po mundohen t’i frikësojnë ata që po mundohen të punojnë me Qeverinë e Kosovës.

Përfaqësuesi i Francës ka thënë se vendi i tij e mbështet shtetin multietnik të Kosovës si dhe ka inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin për të vazhduar bisedimet mes vete në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje, me ç’gjë Serbia do të shënonte hapa përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kurse Kosova drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.  

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, duke i dhënë mbështetje dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, duke dashur që në takimin e ardhshëm të ketë rezultate konkrete, që, sipas tij, me veprime të tilla të dyjave vendeve do t’u hapej rruga drejt BE-së.

Përfaqësuesi i Rusisë gjatë fjalës së tij e ka parë Rezolutën 1244 dokumentin e vetëm në fuqi për Kosovën, të cilit i është referuar si krahinë e Serbisë. Ai ka thënë se çfarë do zgjidhje në dialog pa u marrë në konsideratë vullneti i serbëve të veriut të Kosovës është jorealist. Ai ka shprehur brengën për, siç ka thënë, një kurs të Shqipërisë së madhe që, sipas tij, paraqet rrezik për rajonin. Ai ka folur për një valë të dhunës së shqiptarëve kundër serbëve e realizuar gjatë këtij viti për të cilën ka thënë se i ka kujtuar marsin e vitit 2004.

“Autoritetet e Kosovës janë duke penguar kthimin e të zhvendosurve në Kosovë dhe të drejtat e tyre pronësore si të drejta themelore njerëzore. Janë duke u krijuar kushte për të shtyrë më tutje popullatën serbe që është një lloj i spastrimit etnik në mënyrë paqësore”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Kinës, duke thënë se për Pekinin integriteti i Serbisë është i pacenueshëm, ka kërkuar që OKB-ja të luajë rolin saj në hetimin trafikimit të organeve në Kosovë.

Shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që në procesin dialogues të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet.

Në raportin e rregullt tremujor për Kosovën, sekretari Ban ka thënë se janë bërë hapa përpara me shndërrimin e bisedimeve Prishtinë – Beograd në nivel të lartë politik. Ai ka përshëndetur dialogun që po zhvillohet midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të cilin e ka quajtur “një progres i rëndësishëm”. Aty sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka uruar liderët e të dyja palëve të cilët ka thënë se i kanë hyrë një ‘procesi sfidues, por të rëndësishëm politik, me qëllim të zgjidhjes të çështjeve më të vështira të cilat frenojnë progresin në marrëdhëniet midis tyre.” Ai ka theksuar se “megjithëse ekzistojnë shumë çështje ende të pazgjidhura, rivendosja e bisedimeve përbën një ‘sinjal të fuqishëm se të dyja palët angazhohen për një dialog paqësor për tejkalimin e peshës së konfliktit të kaluar”.

Takimi i së premtes i Këshillit të Sigurimit të OKB-së  ka qenë i paraparë për datën 22 shkurt, mirëpo për shkak të dialogut Prishtinë – Beograd, ishte vendosur që të mbahet këtë muaj. (LajmeShqip.com)