Lajme Shqip Friday, 19 April 2013 20:24

Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet Ralf Gjonit, Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë,  shprehu shqetësimin për rolin manipulues në median ndërkombëtare të kompanisë lobuese “Podesta Group” ,  që paguhet me paratë e takspaguesve shqiptarë.

Siç edhe Top Channel e beri publik mbremjen e se enjtes, “Podesta” tjetërsoi deklaratën kritike Drejtorit për Çështjet e Evropës Jugqendrore në Departamentin e Shtetit, z. Jonathan Moore.

“Pavarësisht korrigjimit të mëvonshëm nga ‘Grupi Podesta’ të deklaratës për shtyp, pas shprehjes së shqetësimit nga Tirana, kemi arsye të forta të besojmë se ky ishte një manipulim i qëllimshëm nga kompania e lobimit për të keqinformuar opinionin publik ndërkombëtar”, u shpreh Gjoni.

Sipas Gjonit janë thyer disa nene të Kodit të Etikës dhe ngrihen pikëpyetje të mëdha mbi ligjshmërinë e aktivitetit të ‘Grupit Podesta’ në lidhje me obligimet kontraktuale që ka ndaj Republikës së Shqipërisë.

“Kompania e lobimit paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë në disa raste është angazhuar qëllimisht në përfaqësimin e interesave të ngushta të Partisë Demokratike, duke futur hundët në çështje tërësisht të brendshme të funksionimit të demokracisë shqiptare, duke ndërhyrë në çështje teknike dhe ligjore të institucioneve shqiptare, dhe duke lobuar hapur në interes të kundërt me pavarësinë, integritetin dhe ligjshmërinë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, tha zyrtari i LSI-së.

Do të ndërmarrim të gjitha hapat politikë, transparentë dhe ligjorë, – theksoi Gjoni, – për të komunikuar me autoritetet më të larta të SHBA, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e  Drejtësisë, për të vënë në dukje këtë keqpërfaqësim të interesave të shqiptarëve, dhe keqpërdorimin që u bëhet parave të tyre.

“Kjo që ka ndodhur është skandaloze, e patolerueshme dhe në konflikt të hapur interesi me kontratën që ‘Grupi Podesta’ ka me Republikën e Shqipërisë. I kujtojmë z. Berisha se ndërsa ai mendon se mund të përdorë instrumente të dyshimta për dezinformimin e publikut si në Shqipëri, ashtu dhe jashtë saj, ne kemi një kontratë më të fuqishme dhe afatgjatë me të gjithë qytetarët shqiptarë për rikthimin e legjitimitetit të institucioneve shqiptare dhe për avancimin e Shqipërisë drejt standarteve ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Gjoni.(TCH/LajmeShip.com)