Lajme Shqip Monday, 01 April 2013 15:12

Selanik – Kryetari i Bashkisë së Selanikut, Jani Butari, i njohur për qëndimet e tij të moderuara, bën sërish një deklaratë të veçantë që krijon reagime.

“Nuk ekziston termi Vorioepir, ai është vetëm një koncept që kënaq ndjenjat tona”. Me këto fjalë është shprehur në një intervistë për televizionit kombëtar grek NET kryetari i bashkisë së Selanikut. Siç tha ai, gazetarët dhe zyrtarët grekë duhet të përdorin vetëm emërtimin zyrtar që është “Shqipëria”. 

“Kur flitet për problemet e minoritetit grek, në Shqipëri duhet të mos përdoret më termi “Vorio-epir”, pasi është zyrtarisht një çështje që i përket vetëm Shqipërisë”, tha Butari. Sipas kryebashkiakut, ky term që përdoret gabimisht nga media në Greqi dhe zyrtarët grekë është një term që grekët e përdorin vetëm e vetëm për të kënaqur ndjenjat e tyre patriotike dhe asgjë më tepër. ”Mendoni se çfarë do të ndodhte sikur ta quaja Shkupin me termin “Maqedoni”. Do të më varnin me kokë poshtë apo jo?”, pyet Butari gazetarin.

Ndërkaq, ai ka deklaruar se do të kthejë në shtëpi muze shtëpinë e Qemal Ataturkut, që sipas tij, është një nga figurat më të mëdha që kanë jetuar në Selanik. “Pavarësisht nga dimensioni politik, ai ka qenë një udhëheqës i madh, një nga liderët më të mëdhenj të shtetit turk. Mos harroni se Selaniku është një qytet ku u themelua Republika Turke”, sqaron Butari. “Selaniku ishte një qytet shumetnik. Përpara pavarësimit, qyteti kishte 12 gazeta ku kishte turke, hebreje, greke, franceze, italiane dhe gjermane, këto gazeta dikush i lexonte asokohe. Kjo tregon se kishte një prezencë të fortë shumetnike në qytet. Unë nuk them të kthehemi në të kaluarën, por të ketë një traditë të njohjes dhe ruajtjes së këtyre vlerave”, tha Butari.(LajmeShqip.com)