Lajme Shqip e Enjëte, 28 Qershor 2012 21:00

Beograd – Në deklaratën e tij të parë pasi që e ka marrë mandatin për ta formuar qeverinë e re të Serbisë, Ivica Daciç, duke komentuar ngjarjen e dhunshme në Merdare, ka deklaruar se Qeveria e re e Serbisë do të angazhohet për kthimin e forcave serbe të sigurisë.

“Vidovdani është një festë e madhe për popullin serb dhe në cdo Vidovdan ndodhin incidente në Kosovë. Nëse populli serb në Kosovë nuk mund ta festojë këtë festë atëherë parashtrohet pyetja se kush mund ta sigurojë jetë e qetë të serbëve në Kosovë. Ju e dini se në Kosovë ne nuk i kemi forcat tona të sigurisë por qeveria e re e Serbisë do të insistojë mu në këtë “, ka deklaruar Daciq për Radio Televizionin e Serbisë.

Si Kryeministër i ri i Serbisë, Ivica Daciq, planifikon të thirret në Rezolutën 1244 ku parashihet se nëse e lejon Komandanti i KFOR-it, Serbia mund të kthejë deri në 1000 trupa në Kosovë.

Duhet cekur se me vendimin e sotshëm të Presidentit Nikoliq që t’ia jep mandatin Daciqit që ta formojë qeverinë në mes të SPS dhe SNS, Serbia kthehet në të njëjtin format qeverisës i cili ishte në fuqi gjatë vitit 1998-99 ku atë botë SPS ishte në pushtet me radikalët serb, përfshirë këtu edhe zyrtarët aktual të partisë SNS. (LajmeShqip.com)