Lajme Shqip Thursday, 16 July 2015 09:36

Duke marr shkas nevojën për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 2014, Komisioni Qendror Zgjedhor në shumë raste ka shpërfillur ligjin, përmes dhënies së kontratave me procedura të negociuara pa publikim dhe vetëm me një operator ekonomik.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, edhe kompensimet shtesë për të punësuarit gjatë periudhës para dhe pas zgjedhjeve ishin shoqëruar me shumë parregullsi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shumica e rekomandimeve të vitit të mëparshëm nuk janë adresuar, ngase KQZ-ja nuk ka zbatuar një proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit të rekomandimeve, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

KQZ-ja vitin e kaluar ka zhvilluar 19 aktivitete të prokurimit përmes procedurave të negocimit me vetëm një operator ekonomik, me vlerë totale të parashikuar prej 1 milion e 361 mijë e 305 eurosh.