|
|
e Mërkurë, 27 Qershor 2012 20:35 Prishtinë – Nëse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta marrë parasysh kërkesën e disa zyrtarëve të Aleancës Kosova e Re (AKR), atëherë ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, do të mbesë pa punë. Kjo kërkesë ka ardhur pas vendimit që ministrja Kusari- Lila ka marrë për vendosjen e tarifës prej tridhjetë e pesë për qind për import të çimentos nga Shqipëria.
“I kemi kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi që ta shkarkojë ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, për shkak të atij vendimi kontravers që ka marrë sa i përket tarifës prej tridhjetepesë për qind për import të çimentos nga Shqipëria”, ka thënë një burim i gazetës brenda partisë së Pacollit. Ai ka theksuar se AKR-ja është e shqetësuar me vendimin e Kusari-Lilës ngase, siç ka thënë ai, është krijuar monopol, janë dëmtuar në masë të madhe edhe bizneset edhe qytetarët.
Por, këtë kërkesë e ka mohuar shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Myzejene Selmani, e cila i ka thënë “Zërit” nëpërmjet telefonit se nuk ka dëgjuar për diçka të tillë. Unë nuk di që kemi kërkuar, po të ishte kjo e vërtetë, do ta dija, sepse unë jam shefe e Grupit Parlamentar. Po të ishte kjo e vërtetë unë do të njoftohesha edhe nga zyra e kryeministrit Thaçi”, ka thënë ajo.
Edhe ministrja Kusari-Lila ka thënë se nuk është në dijeni nëse ndokush ka kërkuar nga kryeministri shkarkimin e saj. Megjithatë, ajo shton se është në dorën e kryeministrit Thaçi që të shkarkojë e emërojë ministra, prandaj siç thotë ajo “nuk dëshiron të komentojë vendimet e mundshme të kryeministrit”.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka nënvizuar se vendimi i saj për taksën për çimenton është në përputhje me ligjin. “Deputetët mund të kërkojnë ndryshimin e ligjit, por ata janë vetë që e kanë votuar atë ligj”, thotë Kusari-Lila.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, mohoi informacionet se është kërkuar shkarkimi i ministres Kusari-Lila.
Ai ka theksuar se nëse konstatohet se vendimi i ministres së Tregtisë dhe Industrisë është i padrejtë apo i dëmshëm, atëherë kryeministri do ta anulojë atë vendim.
Megjithatë, kryeministri Thaçi vështirë se do ta marrë parasysh kërkesën e tyre, ngase, siç ka thënë ai, ministrja Kusari-Lila ka mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare. “Nuk besoj se kryeministri do ta shkarkojë ministren, sepse ajo e ka mbështetjen e fuqishme të ndërkombëtarëve. Madje, ajo ka ardhur në këtë dikaster dhe është emëruar edhe si zëvendëskryeministre për faktin se kanë insistuar shumë ndërkombëtarët”, thotë ky burim.
Kohë më parë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë vendim për vendosjen e tarifës prej tridhjetë e pesë për qind për import të çimentos nga Shqipëria.
Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta tek subjektet politike në Kosovë, përfshi pozitën dhe opozitën, ndërsa i pakënaqur është shprehur edhe ambasadori i Shqipërisë në vendin tonë, Islam Lauka.
Përveç deputetëve të partive opozitare, të cilët kanë paralajmëruar se nëse ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk e shfuqizon këtë vendim, i cili sipas tyre është marrë për përfitime personale të ministres, ata do të kërkojnë shkarkimin e saj nga ky post, edhe partia më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur kundër vendimit të ministres.
Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, kohë më parë ka deklaruar se ky vendim është shumë i dëmshëm, prandaj duhet të anulohet, ndërsa bashkëpartiaku i ministres Kusari- Lila, deputeti Emin Gërbeshi, përpos që është kundër këtij vendimi, është përkujdesur për mbledhje të nënshkrimeve nga deputetë tjerë, në mënyrë që Kusari- Lila të paraqitet në interpelancë seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës. (LajmeShqip.com)