Portieri holandez, Edwin van der Sar, ka deklaruar se nuk ka arsye pse Manchester Unitedi të mos e mposhtë Barcelonën në vitet e ardhshme.
Van der Sar i dha fund karrierës si futbollist aktiv, ndërsa në ndeshjen e fundit të karrierës u mposht pikërisht nga “blaugranët” në finale të Ligës së Kampionëve.
Mirëpo, Barcelona jo vetëm që e fitoi takimin, por ishte skuadër dukshëm më superiore kundrejt “Djajve të Kuq”. Kjo ka bërë që Sir Alex Ferguson të angazhohet menjëherë për përforcime. Ndërsa, Van der Sar beson se United do të bëhet gjithnjë e më i mirë.
“Padyshim se ata do të përmirësohen dhe do të ngriten në vitin e ardhshëm, dhe pikërisht këtë duhet ta bëjnë. Tash për tash Barcelona është më e mirë se ne, dhe kjo ndodh. Ndonjëherë në jetë përballesh me njerëz që janë më të mirë se ti, e pikërisht për këtë është sporti. Prandaj, duhet të mësohesh të garosh kundër tyre”, tha portieri legjendar i Manchesterit.
“Në këtë moment ne nuk jemi të mirë sa duhet dhe kjo dhemb, por nuk ka arsye që skuadra të mos kthehet në vitin ardhshëm dhe në vitin që vjen pas tij. Unë nuk do të jem atje, por do të shikoj. E di se trajneri do të ndërtojë një skuadër, e cila do të jetë e gatshme ta sfidojë Barcelonën, do të jetë një stimulim i madh për të”, ka deklaruar holandezi.