Sarajevë – Humbja e kombëtares së Shqipërisë të martën mbrëma në stadiumin e qytetit Zenica të Sarajevës, nuk është pritur aspak mirë nga tifozëria e shumtë kuqezi, që ishte e pranishme në këtë ndeshje në mbështetje të skuadrës kombëtare. Ndonëse gjatë pjesës së parë, ato vlerësuan lojën e futbollistëve tanë, në të dytën kanë lëshuar një lumë akuzash në adresë të kombëtares, qoftë për lojtarët e formacionit, të cilët në 45 minutëshin e dytë nuk dhanë asgjë nga niveli i tyre, por edhe në drejtim të teknikut Kuzhe, duke mos qenë dakord me disa nga ndërrimet e kryera në këtë pjesë loje, sidomos me largimin e shtatlartit Bogdani, i cili gjatë pjesës së parë ishte një kërcënim serioz për portën vendase.
Në ndeshjen e luajtur në Zenica, falë edhe afërsisë gjeografike, këtë radhë ka pasur një dyndje të tifozëve nga qyteti i Shkodrës, të cilët i janë bashkuar atyre të zakonshmit të shoqatës kuq e zi, si dhe shumë të tjerëve të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit tonë. Gjatë ndeshjes, entuziazmi i tifozëve shqiptarë ka qënë për t’u admiruar, pasi në mënyrë të organizuar nuk kanë pushuar së mbështeturi skuadrën tonë kombëtare, që përpara fillimit të ndeshjes dhe deri në fund të saj.
Për t’u theksuar është fakti se gjatë pjesës së dytë, sidomos pas shënimit të golit të parë nga ana e boshnjakëve, mes dy tifozërive ka pasur një incident. Nxitja ka qënë në anën e tifozëve vendas, të cilët fillimisht lëshuan fishekzjarre të përmasave të mëdha në drejtim të tifozëve shqiptarë dhe më pas dogjën edhe një shall simbol të kombëtares së Shqipërisë, çka vuri në lëvizje policinë vendase, duke bërë edhe ndalimet e disa tifozëve boshnjakë.
Ndërkohë, pas ndeshjes, autokolona e autobusëve dhe makinave të tifozëve shqiptarë është shoqëruar me masa të rrepta sigurie nga policia vendase.