Sulmuesi i talentuar i Vllaznisë dhe përfaqësueses Shpresa, Armando Vajushi, është shpallur “Lojtari i Vitit 2011”, pas anketës së zhvilluar nga FSHF me votat e trajnerëve dhe kapitenëve të skuadrave të Kategorisë Superiore.
Lojtarit i është dorëzuar çmimi në fjalë nga presidenti i FSHF-së Armand Duka gjatë ceremonisë festive të fundvitit të organizuar nga institucioni që drejton futbollin në vendin tonë.
Për Vajushin, 2011 ka qenë një vit i artë pasi shpërthimi në radhët e Vllaznisë e ka bërë atë një pjesë të pandashme të formacionit titullar të Kombëtares U-21 dhe një alternativë e të ardhmes për Kombëtaren A.
Në të njëjtën kohë, shumë skuadra të huaja kanë shfaqur interes për transferimin e tij dhe pritet që së shpejti ai të largohet nga radhët e ekipit shkodran drejt një kampionati më prestigjioz.