Kristiano Ronaldo mund të jetë duke vendosur që të kthehet përfundimisht te Mançester Junajtid, pasi është zbuluar se ai po planifikon të takohet me drejtuesit e klubit anglez brenda tre ditëve të ardhshme.
Kohët e fundit, është spekuluar shumë për një kthim të lojtarit në Angli, pas një sezoni ku ai nuk ishte shumë i lumtur te ekipi spanjoll. Mendohej se emërimi i Karlo Ançelotit do ta ndihmonte lojtarin të kthehej në “rrugën e duhur”.
Por gazeta “El Pais” ka zbuluar se portugezi ka në plan të takojë drejtuesit e Mançester Junajtid, me të cilët ka ruajtur kontakte, para se të kthehet në Spanjë për të marrë pjesë në fazën përgatitore të sezonit me Real Madrid. Meqenëse FIFA nuk lejon kontakte mes futbollistëve që kanë kontratë dhe klubeve të tjera, të dyja palët do të refuzojnë zyrtarisht gjithçka. Por mendohet se organizimin e këtij takimi mund ta ketë marrë përsipër Aleks Ferguson, i cili është i bindur se portugezi dëshiron të kthehet përsëri të veshë fanellën e “djajve të kuq”, për t’u bërë figura përfaqësuese e ciklit të ri nën drejtimin e David Mojes. (LajmeShqip.com)