Robinjo duket se ka ndërruar mendje rreth qëndrimit të tij te Milani dhe ka lënë pas idenë për t’u kthyer te Santos në fund të këtij sezoni.
“Kur erdha te Milani, deklarova se dëshiroj të qëndroj këtu për 10 vite. Më mungojnë edhe 7 të tjerë”, tha lojtari që në janar dukej se ishte shumë pranë kthimit në vendlindje. “Dua të sqaroj se nuk kam kërkuar kurrë unë të largohem por ishte Santos që më kërkonte. Por fola me familjen dhe vendosëm të qëndronim në Milano. Fola edhe me Galianin dhe i thashë se ishte thjesht diskutim familjar dhe jo futbollistik, pasi nuk mund të kërkoja më shumë se Milanin “
“Dua të rinovoj kontratën me Milanin, pasi në këtë skuadër nuk më mungon asgjë. Këto 6 ndeshje të mbetura në kampionat nuk do të jenë të fundit me fanellën e Milanit”, ishin fjalët e tij. E para mes këtyre ndeshjeve është ajo e fundjavës kundër Juventusit, që është kthyer në një sfidë të rëndësishme në perspektivën e luftës për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
“Juventusi e meriton vendin e parë, por ne jemi në gjendje që të fitojmë ndaj tyre. Kemi skuadrën që nevojitet për ta bërë një gjë të tillë. Duhet thjesht t’i sulmojmë, të mos i lejojmë të luajnë topin. Duhet të bëjmë si në ndeshjen e parë, që ishte perfekte. Duhet të përsëritim atë ndeshje, që të ndjekim përsëri vendin e dytë në klasifikim”. (LajmeShqip.com)