Historia përsëritet. Shumë optimizëm, shumë premtime, shumë emra, shumë objektiva dhe fundi gjithnjë i njëjtë, duarthatë!
Alvarez, Shaqiri, Viviano, këta janë tre emra që dukej se ishin më afër se kurrë të bëheshin gialloross. Megjithatë, kështu siç duket, nuk do të ndodhë.
Alvarez i Arsenalit? Edhe pse zyrtarizimi nuk ka mbërritur ende, mediet angleze aludojnë se Topçinjtë e kanë kryer punën me Alvarezin. Roma pati ofruar 8 milionë për të, ndërsa Velezi kërkonte 10 milionë. Pra, Roma ishte pranë Alvarezit për vetëm 2 milion euro. Ndërsa, në anën tjetër, sipas burimeve angleze, londinezët e Arsenalit kanë arritur të sigurojnë shërbimet e tij me një shifër prej 12. 5 milionë euro.
Shaqiri pranë Hamburgut? Më në fund shpresonim që të kemi një futbollist shqiptar në Romë, mirëpo përsëri shpresat siç duket do të mbeten vetëm si tilla. Edhe pse flitej që Xherdani është pranë Romës, Hamburgu po duket shumë më konkret. Sot mediet gjermane kanë raportuar se Hamburgu është shumë pranë sigurimit të shërbimeve të mesfushorit të Baselit, megjithatë, zyrtarizimi mungon.
Viviano kalon tek Interi, përkundër mungesës së zyrtarizimeve tek rasti i Alvarezit dhe Shaqirit, edhe zyrtarisht Roma humbi një objektiv, ai quhet Emiliano Viviano. Ky i fundit, “çmendej” pas Romës, mirëpo kjo nuk i bindi drejtuesit romak, të cilët vazhduan me gjakftohtësinë e tyre duke injoruar kështu dëshirën e tij.
Vera është e gjatë dhe për të transferuar futbollistë ka kohë ende. Mirëpo, në këtë mënyrë, duke fjetur e duke shikuar deri në cent, vështirë se mund të shohim Romën e vjetër qysh në edicionin tjetër.