Mbrojtësi i Chelseat, David Luiz, do të kishte dëshirë ta shihte yllin e Real Madridit, Leite Kaka, në Stamford Bridge, duke aluduar kështu në një transferim të mundshëm të tij.
“Babai im do të jetë idoli im përgjithmonë. Por, në futbollin e sotëm, njeriu që e admiroj është Kaka, për shumë arsye, edhe për lojtarin që është, por edhe për njeriun që është”.
“Jam i sigurt se ai do t’i tejkalojë momentet e vështira dhe do të jetë shembulli që ka qenë për shumë njerëz në të kaluarën. Do më pëlqente ta shihja te Chelsea”, deklaroi Luiz.
Ndersa Seleksionuesi i Turqisë, Guus Hiddink, ka shtuar spekulimet se mund të kthehet në krye të Chelseas, pasi ka thënë se më shumë i pëlqen puna në klub sesa në përfaqësuese.
Holandezi Hiddink ka pasur pesë muaj të suksesshëm si trajner i Chelseat, para dy vjetëve dhe emri i tij lakohet si kandidat për ta zëvendësuar në “Stamford Bridge” Carlo Ancelottin e shkarkuar ditë më parë.
Hiddink 65-vjeçar ka thënë se ka qenë i lumtur kur në të njëjtën kohë ishte trajner edhe i Përfaqësueses së Rusisë edhe i Chelseat.
“Ndihem shumë energjik, kështu që më shumë preferojë të punoj në klub. Kam nevojë të punojë çdo ditë dhe kjo më përshtatet”, ka thënë Hiddink.
“Kam stërvitur në të njëjtën kohë Përfaqësuesen e Australisë dhe ekipin e PSV Eindhovenit, pastaj Rusinë dhe Chelsean. Mund të them se isha shumë i lumtur. Do të shoh se çka do të ndodhë tash me Turqinë”.
Përfaqësuesja e Turqisë të premten luan ndeshjen vendimtare për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2012, kur përballet me Belgjikën. Turqia zë vendin e tretë në Grupin A kualifikues, ka një pikë më pak se Belgjika në vendin e dytë dhe gjashtë më pak se Gjermania që i prin tabelës. Mediumet turke bëjnë të ditur se Hiddinkun e pret shkarkimi nëse Turqia nuk siguron pjesëmarrjen në “Euro 2012″ që mbahet në Ukrainë e Poloni.
“Blutë” janë të gatshëm të presin 12 muaj që të vijë të drejtojë klubin Pep Guardiola. Para finales së Ligës së Kampionëve spekulohej se Guardiola nëse humb nga Manchester United do të largohet nga Barcelona, një vit para skadimit të kontratës.
Pas fitores së Ligës së Kampionëve, Pep Guardiola ka deklaruar se do të qëndrojë tek Barcelona edhe një vit aq edhe sa ka kontratë, kështë që Chelsea duhet të presë një vit.
Nëse miliarderi rus Abramovich nuk arrin të sjellë Guardiolan, ka planet rezervë si Guus Huddink, Marko Van Basten dhe Vilias Boas.
Edhe Sulmuesi francez Nicolas Anelka gjatë kësaj verë pritet të largohet nga skuadra e Chelseas, shkruan “Daily Mirror”.
Anelka pritet t’i bashkohet skuadrës franceze PSG, e cila ka shprehur gatishmëri t’i paguajë Chelseas një dëmshpërblim prej dhjetë milionë eurosh.
Anelka ka kërkuar të largohet nga Chelsea, pasi në edicionin e shkuar në shumtën e rasteve ishte rezervist i blerjes së re Fernando Torres.
Krahas ekipit francez, Anelka kërkohet edhe nga skuadra e Tottenhamit.