Borusia Dortmund ka bërë të ditur se Robert Levandovski nuk do të lejohet të transferohet drejt Bajern Mynih gjatë verës. Sulmuesi 24 vjeçar pritej të kalonte te rivalët brenda Gjermanisë, pasi kishte shprehur dëshirën të punonte me Pep Guardiolën, por me sa duket nuk ka arritur të gjejë akordin me klubin aktual.
Sipas Hans Joakim Uatzke, drejtori ekzekutiv i Borusias, një gjë e tillë nuk do të lejohej, duke lënë të kuptohej se bavarezët ishin ata që kishin prishur gjithçka me transferimin e Mario Gëtze.
“Robert Levandovski nuk do të kalojë te Bajern në vitin 2013. Kjo është përfundimtare, e kemi lajmëruar si Robert, ashtu edhe menaxherin e tij rreth këtij vendimi”.
Kjo do të thotë se Levandovski duhet të zgjedhë një skuadër tjetër mes atyre që kërkojnë të sigurojnë shërbimet e tij, apo të rezistojë edhe një vit te Borusia Dortmund për t’u transferuar me parametër zero të skuadra bavareze.
Për futbollistin polak interesohen ekipe si Mançester Junajtid, Çelsi dhe Real Madrid, të cilat do të paguanin pa problem 25-30 milion euro për këtë sulmues që ka shpërthyer në dy vitet e fundit në arenën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)