Dje ka hapur dyert kompleksi i ri i ekipeve kombëtare të Anglisë, një investim gjigand prej 100 milion paund me të cilin anglezët shpresojnë të ndërtojnë kombëtaret që do të sjellin përsëri trofe ndërkombëtarë në vendin që shpiku futbollin.
Kompleksi stërvitor u inaugurua nga princi Uilliam dhe bashkëshortja e tij Keit, të cilët kaluan disa kohë duke diskutuar edhe me futbollistët e kombëtares angleze dhe trajnerin Hodgson pas stërvitjes që këta të fundit zhvilluan për përgatitjet e ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës 2014 ndaj San Marinos.
Princi Uilliam, i cili sipas protokollit është presidenti i Federatës Angleze, ka gjetur edhe kohën për të ironizuar me Eshli Kol, pasi kur i shtrëngoi dorën lojtarit, i tha atij se do ta hiqte nga Twitter nëse vazhdonte të shante zyrtarët e Federatës.
Kompleksi stërvitor ka një fushë stërvitore me madhësinë ekzakte të stadiumit “Uembli”, me të njëjtin lloj tapeti, kombinim mes barit natyral dhe artificial. Qendra stërvitore ka 11 fusha futbolli të tjera të zbuluara, ku 5 prej tyre kanë ndriçim artificial dhe terreni mund të ngrohet po artificialisht. Një tjetër fushë e mbuluar është ndërtuar për situatat ekstreme të motit, ndërsa ka edhe shkallare që mbajnë rreth 200 persona.
Njëkohësisht, në ambientet e kompleksit ka një dhomë lartësie, pishina, sauna, si dhe një pistë të mbuluar vrapimi, 60 metra të gjatë.
Hoteli i kompleksit është “Hilton” dhe ka luksin e firmës së famshme të hoteleve në të gjithë botën. Ndërkohë, ka palestra të ndryshme si dhe librari e salla mësimi, të gjitha të ndërtuara bashkë në një kompleks unik në llojin e tij në botë.
Kjo qendër do të shërbejë jo vetëm për ekipin kombëtar të Anglisë por edhe për edukimin trajnerëve dhe lojtarëve të moshave, për të nisur një projekt të ngjashëm me ato spanjollë e francezë, të cilët kanë ndërtuar prej vitesh qendra të tilla. (LajmeShqip.com)