Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 12:37

Mësuesi 62-vjeçar ka pranuar kryerjen e marrëdhënieve me nxënësen e tij 12-vjeçare në janar dhe në maj të këtij viti. Por pranimi i kërkesës për gjykim të shkurtuar i ul të pandehurit një të tretën e dënimit prej 25 vjetësh burg të kërkuar dje nga prokuroria. Demir Hoxha: Nuk përdora dhunë, 12-vjeçaren e josha. Vajza: Mësuesi më tha bëj një kontroll te mjeku, po mbete shtatzënë, mos trego që jam unë.

Demir Hoxha, mësuesi i Fizikës në shkollën 9-vjeçare “Hysen Malko” të Divjakës pritet t’i shpëtojë dënimit me 25 vite burg të kërkuar dje nga prokuroria për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar. 62-vjeçari i akuzuar për abuzime seksuale me nxënësen e tij 12-vjeçare ka pranuar krimin duke thënë se nuk ka përdorur dhunë fizike, por e ka joshur vajzën.

Ai ka shprehur pendesë dhe i ka kërkuar gjykatës të gjykohet me procedurë të shkurtuar, kërkesë e cila është pranuar, çka do të thotë se të pandehurit do t’i ulet një e treta e dënimit në rast se shpallet fajtor.

Në seancën e djeshme përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin e mësuesit Demir Hoxha me 25 vite burg për akuzën e “marrëdhënieve seksuale me një nxënëse të mitur”, e cila ishte në klasën kujdestari të mësuesit 62-vjeçar.

Ngjarja për të cilën u arrestua mësuesi është kallëzuar në fillim të qershor 2015 nga prindërit e vajzës së mitur pas rrëfimit të saj se mësuesi kujdestar kishte kryer dy herë marrëdhënie seksuale me të. Në prani të prindërve dhe të një psikologeje, vajza ka treguar dy episodet e abuzimit nga mësuesi i saj në janar dhe maj të këtij viti.

Sipas prokurorisë, gjatë hetimit rezultoi se i pandehuri kishte kryer marrëdhënie seksuale me këtë vajzë të mitur edhe disa muaj më parë, në janar të vitit 2015. Gjatë hetimit dhe më tej në gjykim, i pandehuri ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën dy herë, por ka deklaruar që këtë e ka realizuar nëpërmjet joshjes dhe në asnjë rast me dhunë.

Po ashtu, në bazë të ekspertizës mjeko-ligjore, provohet fakti për të cilin akuzohet i pandehuri.

Sipas akuzës së prokurorisë rezulton se ditën e premte, më datë 29.05.2015, rreth orës 07:25 vajza ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë.

Nga shtëpia është nisur me autobusin e linjës Kryekuq-Lushnjë.

Ka zbritur nga autobusi dhe ka shkuar te shkolla, ku i është afruar mësuesi kujdestar Demir Hoxha, i cili i ka thënë: “Hajde futu brenda në shkollë, në klasë, se do të vadisësh lulet”.

“Ajo është futur brenda në shkollë. Në shkollë futet bashkë me mësuesin, i cili kur është futur brenda ka mbyllur derën e shkollës me çelës dhe kanë shkuar te klasa, e cila ndodhet në katin e parë. Pasi janë futur në klasë bashkë me të dhe mësuesi, përsëri ka mbyllur derën e klasës dhe i thotë ‘lëre çantën mbi bankë’ e më pas e kapi prej trupi dhe i ka hequr pantallonat dhe filloi të kryente marrëdhënie seksuale me të. Më pas i ka thënë: Dil jashtë shko në rresht dhe mos i trego njeriu”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas rrëfimit të vajzës, mësuesi i ka thënë: “Thuaju prindërve të të bëjnë një kontroll në Lushnjë se mos ke mbetur shtatzëne, por mos u thuaj se isha unë personi që kreu marrëdhënie me ty”.

Tri ditë pas ngjarjes, rreth orës 14:00-15:00, e stresuar për çka kishte ndodhur vajza i ka treguar nënës se ditën e premte, mësuesi kujdestar Demir Hoxha kreu marrëdhënie seksuale me të, duke i treguar ngjarjen.

“Njëkohësisht, e mitura e ka pyetur nënën se si mund të mbetej një vajzë shtatzënë, duke i shpjeguar se këtë ia kishte thënë mësuesi duke e porositur se duhet të bënte një kontroll te mjeku”, thotë prokuroria.

Pas kësaj bisede, nëna e të miturës i ka treguar bashkëshortit, i cili i ka kërkuar vajzës të shkojnë në polici për të denoncuar ngjarjen.

“I pyetur si person nën hetim në datë 05.06.2015 si dhe në përfundim të hetimit në prani të avokatit të zgjedhur prej tij, shtetasi Demir Hoxha e ka pranuar faktin që ka kryer marrëdhënie seksuale dy herë me të miturën, por shpjegon se marrëdhëniet seksuale nuk i ka kryer duke përdorur dhunën fizike, por nëpërmjet joshjes”, thotë prokuroria.

Tashmë mësuesi 62-vjeçar është në pritje të vendimit nga Gjykata e Lushnjës, e cila një seancë më parë pranoi kërkesën e tij për gjykim me procedurë të shkurtuar.

Dje prokuroria kërkoi dënimin e tij me 25 vite burg për “akuzën e marrëdhënieve seksuale me të mitura”, por nëse i pandehuri shpallet fajtor, ai do të përfitojë uljen e një të tretës së dënimit.