Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 13:28

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit të Shqipëris, Jozefina Topalli, tha sot se parlamenti do të miratojë së shpejti Konventën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, ndërsa siguroi mbështetjen e të gjitha instancave shtetërore për këtë kategori individësh.

Topalli mori pjesë sot në konferencën me temë “Dhuna ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në Shqipëri”, objekt i të cilës ishte prezantimi i një studimi mbi të drejtat e kësaj kategorie.

“Mbrojtja e të drejtave të grave si kategori mbetet një ndër fushat e betejës në çdo vend të botës. Pastaj kur bëhet fjalë për një tjetër kategori të veçantë, natyrisht që beteja bëhet më e vështirë dhe kërkon angazhim dhe financime shumë më të mëdha”, tha Topalli.

Ajo nënvizoi masat që janë marrë nga qeveria në ndihmë të kësaj kategorie shoqërore, si ndihma financiare, paketa shëndetësore, pagesa që i jepet kujdestarëve të një kategorie të caktuar, si dhe vendimi që është marrë për kompensimin e energjisë, apo për shërbime të tjera falas.

Por çdo arritje, sipas Topallit, duhet të konsiderohet si një pikënisje e re e cila duhet të kalohet për të arritur te një standars edhe më i lartë.

Duke informuar mbi Konventën që pritet të kalohet së shpejti në Kuvend, Topalli tha se ajo përbën një instrument juridik bazë që detyron të gjithë shoqërinë dhe institucionet shtetërore, që të veprojnë me akte ligjore dhe nënligjore në zbatimin e kësaj konvente.

Në konferencën e organizuar nga Fondacioni shqiptar për të drejtat e personave më aftësi të kufizuar dhe me mbështetjen e Ambasadës së SHBA, merrnin pjesë drejtues të Ministrisë së punës dhe Çështjeve Sociale, diplomatë amerikane, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare etj.