Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 15:05

Tiranë – Gjatë tremujorit të parë të vitit papunësia është ulur me 0.06 për qind. Sipas Shërbimit Kombëtar të Punësimit arsyeja kryesore është rritja e numrit të të punësuarëve.

Ndërkohë, zyrtarisht deklarohet se janë regjistruar 8 mijë subjekte të reja. Por, paradoksi është se pavarësisht nga ulja e papunësisë, kjo përqindje nuk përkon me rritjen ekonomike të vendit. Rritja ekonomike, që sipas shifrave të vitit 2010 ishte 3.9%, duket se reflektohet tepër ngadalë ose fare në rritjen e punësimit.

Sipas specialistëve, në tabelat e statistikave ka shumë lëvizje kohët e fundit. Të papunët e përhershëm, po çrregjistrohen si të tillë pasi janë punësuar, ndërsa të tjerë po hyjnë. Në hapjen e vendeve të reja të punës pritet të ndikojnë edhe dy projekte të reja.

Projekti i parë është punësimi i të rinjve në zonën Verilindore, financuar nga disa organizata ndërkombëtare. Ndërkohë, në projektin e dytë Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD), ka gati një projekt për punësimin e romëve.