Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 10:45

Tiranë – Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke pranuar situatën e mungesës së barnave në qendrën më të madhe të nivelit terciar në vend, konfirmoi se janë marrë të gjitha masat për përmirësimin e situatës.

Drejtori i kësaj qendre spitalore, Sajmir Ivziku, konfirmoi në një koneferencë për mediat se “nga ana e institucionit janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të bërë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe në përputhje me ligjin përsa i përket mungesës së medikamenteve”.

“Aktualisht jemi në fazën që 1/3 e tenderave kanë përfunduar, pra në lidhjen e kontratës, duke ndjekur procedura normale, konform ligjit. Përsa i përket pjesës tjetër po respektohen të gjitha afatet ligjore”, theksoi ai. Ivziku tha se “ajo që duhet të kuptojmë është se aktualisht punojmë me një ligj të caktuar të prokurimeve, i cili në fakt mund të krijojë probleme në kuadrin e efekteve kohore, por nga ana tjeter të gjithë e dimë mirë korrektësinë dhe respektimin e ligjit në drejtim të transparencës në këto raste të bërjes së tenderave, por edhe në rritjen e konkurrencës”.

Ndërkohë, ai garantoi se po punohet me intensitet të plotë për të bërë të mundur zgjidhjen e problemit të barnave në QSUT.

Sa i takon procedurave të tenderave, Ivziku sqaroi se ka përfunduar lidhja e kontratave për gjithë citostatikët dhe onko-hematologjinë, sot përfundon tenderi për të gjitha sëmundjet kronike dhe vlerësuesit e gjakut, ndërsa brenda javës zhvillohet tenderi për materialet e mjekimit. Ai bëri të ditur se nga 200 lote të hedhura deri më tani, 14 prej tyre nuk kanë pasur oferta.