Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 16:03

Tiranë – Në Ditën Botërore të Dhurimit Vullnetar të Gjakut, strukturat shëndetësore dhe organizatat që operojnë në këtë fushë apelojnë për sensibilizimin e qytetarëve për të dhuruar gjak vullnetarisht. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme gjatë ditës së sotme, Kryqi i Kuq ka sensibilizuar qytetarët e shumtë për këtë akt human në ndihmë të personave me nevojë.

Antigoni Qysi, përfaqësuese e Kryqit të Kuq, tha se motoja e aktiviteteve që shoqërojnë ditën e sotme është “Nga unë, tek ti; shpëto jetë njeriu”. Ajo bëri me dije se ka rritje të numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut, megjithatë ky numër është ende i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat në vend për gjak.

Qysi apeloi për çdokënd të dhurojë gjak, aq më tepër në stinën e verës, kur nga njëra anë ka rënie të numrit të dhurimeve dhe nga ana tjetër rritje të kërkesave për gjak.

Sipas ministrit Vasili, krahas rritjes së numrit të dhurimeve, është dhe ndryshimi i strukturës së dhuruesve të gjakut.

“Nëse në vitin 2005, rreth 80 për qind e sasisë së gjakut sigurohej nga dhurues me pagesë, sot vetëm 19 për qind e kësaj sasie sigurohet nga këto dhurues. Tashmë që nga fillimi i 2010, pra më shumë se një vit nuk është regjistruar asnjë dhurues i ri me pagesë në bankat e gjakut dhe grupi që përbën 19 përqindshin janë dhurues të vjetër. Tashmë në fushën e dhurimit të gjakut jo vetëm që është rritur numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut, por ne numërojmë sot edhe 130 dhurues gjaku të rregullt, vullnetarë pa pagese”, tha Vasili.

Ai shtoi se “gjatë vitit të kaluar, numri i dhuruesve vullnetarë ishte 5000 dhe objektivi ynë është që këta dhurues vullnetarë t’i kthejmë në dhurues të rregullt pa pagese”.

Gjatë vitit 2010, sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar 24. 094 dhurime vullnetare kundrejt 14 dhurime të regjistruara më 2005 (vit kur ka filluar edhe zbatimi i strategjisë kombëtare për gjak të sigurt). Nga 4.5 dhurime për banorë, regjistruar në 2005, në 2010 kemi 6.8 dhurime për 1000 banorë. Që të jemi të mjaftueshëm në gjak dhe produkte të tij, duhet të kemi të paktën 20 dhurime për 1000 banorë.

Në forumin evropian të ministrave të Shëndetësisë, mbajtur në mars të këtij viti në Andora, arritjet e Shqipërisë në fushën e transfuziologjisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka cilësuar histori suksesi, ku është konfirmuar edhe një herë mbështjetja e OBSH-së për Shqipërinë.