Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 16:48

Strugë – Drejtori i Spitalit të Strugës Mentor Ibraimi i ka hedhur të mërkurën poshtë akuzat e Fondit të Shëndetësisë se ky institucion bën fatura fiktive me qëllim të marrjes së sa më shumë parave nga arka e Fondit.

“Aspak nuk është e vërtetë deklarata se ne bëjmë fatura fiktive. Ne nuk mund të bëjmë një gjë të tillë dhe se deri te Fondi kemi dorëzuar vetëm fatura të cilat janë të arsyetuara me mjekimin e pacientëve. Nëse Fondi shëndetësor ka dëshmi të tilla, lirisht le t’i dorëzojë deri te ne”, ka thënë drejtori i spitalit të Strugës, Mentor Ibraimi.

Ndërkohë, edhe shefi i repartit të Gjinekologjisë në spitalin e Strugës, Muhamet Asani i ka hedhur poshtë deklaratat e Fondit Shëndetësor se është bërë faturim fiktiv, për shkak se, siç ka pohuar, “ne kemi intervenuar vetëm kur ka qenë e nevojshme te foshnjat e lindura me sëmundje, me medikamentet e duhura për të mos e rrezikuar jetën e tyre”.

“Në repartin tonë prej fillimit të vitit e deri më tani janë bërë rreth 570 lindje, ndërsa ne, përveç që punojmë me pacientët nga Struga, punojmë edhe me ata të Ohrit, Kërçovës dhe Dibrës. Të gjitha rastet me lindje cezariane të qytetit të Dibrës vijnë në repartin tonë, pastaj edhe të qyteteve tjera, prandaj edhe numri i lindjeve te ne është në rritje, njëkohësisht edhe numri i lindjeve në mënyrë cezariane, për shaka se i trajtojmë edhe pacientët e qyteteve tjera”, ka thënë shefi i repartit të gjinekologjisë në Spitalin e Strugës, Muhamet Asani. Ai ka shtuar se vitin e kaluar komisioni nga Ministria e shëndetësisë së Maqedonisë, pas kontrolleve të bëra në Repartin gjinekologjik në Spitalin e Strugës, është caktuar si reparti më i mirë gjinekologjik në të gjithë vendin, dhe kjo është edhe një arsye plus pse akuzat e lartpërmendura janë të pa baza.

Raporti i fundit, i bërë publik nga FSSh-ja nëpërmjet drejtoreshës së tij, Maja Parnaxhieva Zmejkova, nxori në pah shumë parregullsi të kryera kryesisht në lindje dhe më pas në komplikime që kanë fëmijët e porsalindur. Në nivel republikan, 29 për qind e fëmijëve që lindin, shfaqin komplikime shëndetësore të vogla siç janë infeksionet bakteriale.

“Ky problem është më i theksuar në maternitetet e tjera të vendit, sesa në ato të Shkupit. Nuk disponojmë me protokolle që ta verifikojmë një gjë të tillë, kështu që na duhet që të ulemi në një tavolinë”, ka thënë Parnaxhieva- Zmejkova.