Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 17:59

Strugë – Pajisje mjekësore në vlerë prej 500.000 dollarëve amerikan mori Spitali i përgjithshëm në Strugë. Bëhet fjalë për donacion nga organizata humanitare amerikane, në të cilën bëjnë pjesë edhe mërgimtarë në Amerikë.

Drejtori i Spitalit, Mentor Ibrahimi thotë se donacioni do të kontribuojë për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, të cilat u ofrohen pacientëve, por se edhe do ta rrisë kapacitetin e spitalit, ku mjekohen qytetarë nga disa vendbanime në rajon.

“Edhe pse e përdorur, pajisja është e ruajtur mirë dhe është më e sofistikuar nga ajo që për momentin disponon institucioni. Ky është donacioni i dytë më i madh, pas atij nga Zvicra, i cili ishte distribuuar në institucion para gjashtë muajve. Arëherë spitali i Strugës mori krevatë elektrik dhe aparate”, deklaroi Ibrahimi.

Në spitalin në Strugë mjekohen rreth 150. 000 qytetarë nga ai qytet, nga Dibra dhe nga Ohri, ndërkaq shumë shpesh për mjekim vijnë edhe pacientë nga Kërçova dhe Shqipëria fqinje.