Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:26

Berlin – Përhapja e infektimit të shkaktuar nga bakteria esherija Koli me siguri është stabilizuar, thotë Rajnhard Bronkhorst drejtor i spitalit universitar në Hanover.

“Për një ditë nuk ka ndryshim të numrit të viktimave nga infektimi i shkaktuar nga bakteria, sqaroi ai. Sipas tij, kjo është epidemia më e madhe në dekadat e kaluara të shkaktuara nga bakteriet.

Ai thotë se në dy ditët e fundit janë regjistruar 199 raste të reja të infektimit dhe 50 raste me probleme plotësuese nga infektimi me esherija koli  i njohur si sindromi hemolitik-uremik. Nga fillimi i majit deri tani janë regjistruar 1.733 raste  në mbarë Evropën, konfirmojnë autoritetet gjermane.

Në pres konferencë në Hamburg, zëdhënësi i Ministrisë gjermane të shëndetësisë theksoi se burimi i infektimit ende nuk dihet. Për këtë autoritetet shëndetësore rekomandojnë që të mos konsumohen kastraveca, domate dhe sallatë jeshile.

Sipas Dag Harmsen nga universiteti në Munster, për një kohë të shkurtër do të dihet pse bakteria është kaq agresive dhe shprehu shpresë se në javën e ardhshme  do të dihet se si të shmanget përhapja e infektimit.

Qeveria gjermane formoi shtab krize.

Sipas të dhënave të OBSH-së nga infektimi deri tani në 12 shtete janë regjistruar raste: Australia 2, Britania e Madhe 7, Çekia 1, Danimarka 17, Franca 6, Holanda 8, Norvegjia 1, Spanja 1, Suedia 43, Zvicra 2 dhe SHBA-ja 2.

Inkubimi është nga 3 deri në 4 ditë. Të gjitha rastet, përveç dy, kanë të bëjnë me njerëz të cilët kanë udhëtuar në Gjermaninë Veriore ose me persona të cilët kanë pasur kontakt me njerëz që kanë qenë në Gjermaninë Veriore.

OBSH-ja konfirmon se deri më 2 qershor ka pasur 502 raste nga sindromi hemoliotik-uremik në botë me komplikime nga infektimi. Vetëm me infektimin bakterial janë infektuar 1064 persona në botë.