Lajme Shqip Thursday, 16 July 2015 16:13

Letra – “Ti më mashtrove, unë nuk duroj dot më, të kam shumë xhan. Unë po iki që të mbetet ty brenga, të kam shumë xhan”

Facebook-u “Askush dhe asgjë nuk të ndan nga ai / ajo që do vërtet, e nëse ndahesh, njëri nga të dy s’ka dashur asnjëherë e tjetri sa për dy!”

Studentja e vitit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në tentativën e dytë të vetëvrasjes, arriti t’i jepte fund jetës, sepse vajza me të cilën kishte rënë në dashuri, i kishte thyer zemrën. Në një letër që ajo mbante me vete përshkruheshin ndjenjat për një vajzë tjetër. Ida Xherahu, 20 vjeçe, lindur në Patos të Fierit dhe banuese prej dy vitesh në Tiranë, u gjet pa jetë sot në një trotuar, në rrugën “Artan Lenja” pranë “21 Dhjetorit” në Tiranë. Gjatë natës së të martës, ajo kishte pirë fostoksinë, por kur pa se tentativa për vetëvrasje dështoi, ajo u ngjit në tarracën e pallatit dhe u hodh prej andej, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka lajmëruar familjarët, të cilët e identifikuan vajzën në morgun e Tiranës, ku ajo u dërgua për autopsi dhe do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindje. Një hetim ka nisur për të përcaktuar rrethanat apo shkaqet e kësaj vetëvrasjeje, por deri më tani është përcaktuar se gjendja e rënduar emocionale dhe psikologjike, për dashurinë e pamundur, dyshohet të jetë shkaku kryesor i ngjarjes së rëndë.

 

Vetëvrasja

 

Ida Xherahu, 20 vjeçe, i ka dhënë fund jetës tragjikisht duke u hedhur nga tarraca e një pallati në qytetin e Tiranës. Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes, tek “21 Dhjetori”, në rrugën “Artan Lenja” pranë Fakultetit të Inxhinierisë. Studentja në vitin e dytë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, nga Patosi i Fierit, ka hipur në tarracën e pallatit dhe është hedhur që andej duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga hetimet që ka kryer policia, mësohet se 20-vjeçarja prej disa ditësh ishte larguar nga shtëpia me qira. Xherahu ndiqte studimet e larta dhe prej dy vitesh banonte afër fakultetit. Nga burimet e policisë mësohet se shumicën e kohës ajo banonte e vetme, por disa herë kishte marrë shtëpi me qira bashkë me shoqet e saj. Ndërsa prej pak ditësh Xherahu kishte prenotuar një hotel. Ndërkaq, për ngjarjen mësohet se gjatë orëve të vona të së martës, e ndodhur në kushte të rënduara psikologjike, ajo kishte konsumuar një sasi fostoksinë apo ilaç miu siç njihet ndryshe. Siç duket, gjendja e rënduar shëndetësore dhe dhembjet e vazhdueshme e kanë shtyrë vajzën që ta përshpejtonte vetëvrasjen. Kështu, ajo ka vendosur të hidhet nga lartësia e pallatit. Policia ka shumë dyshime se vajza është hedhur gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme dhe trupi i saj u gjet vetëm mëngjesin e ditës së sotme, kur kalimtarët lajmëruan policinë.

 

Dashuria e pamundur

 

Dyshimet e para të policisë janë për një vetëvrasje në kushtet e tronditjes së thellë psikike, për një dashuri në kufijtë e së pamundurës, që nuk ishte realizuar. Siç duket, e ndjera kishte rënë në dashuri me një vajzë tjetër. Sapo policia ka shkuar në vendngjarje, ka sekuestruar si provë materiale një letër që vajza e mbante me vete. Në letër shkruhej se “Dashuria ime ka qenë e sinqertë, por ti kështu ke bërë gjithmonë. Po hidhem, sepse nuk po e duroj dot këtë që po më bën. Ti më mashtrove, unë nuk duroj dot më, të kam shumë xhan. Unë po iki që të mbetet ty brenga, të kam shumë xhan”. Nga burimet e policisë mësohet se janë marrë deklarimet e disa prej shokëve dhe shoqeve të klasës, si dhe po procedohet me një hetim, pasi ka indicie për elemente të veprës penale “nxitje të vetëvrasjes”. Për shkak të specifikës dhe fshehtësisë së kësaj lidhjeje, pra dashuria e një femre ndaj një femre tjetër, zbulimi i emrit të vajzës me të cilën kishte rënë në dashuri Ida Xherahu është vështirësuar së tepërmi. Në tetor 2014, në një status në faqen e saj në Facebook, ajo kishte shkruar se “Askush dhe asgjë nuk të ndan nga ai / ajo që do vërtet, e nëse ndahesh, njëri nga të dy s’ka dashur asnjëherë e tjetri sa për dy!”. Ndërsa në një postim tjetër në Instagram ajo shkruante se “Në jetë, pavarësisht çdo gjëje, lër gjurmët, që edhe kur të mos jesh më, të të kujtojnë”.(Shqip)