Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 14:10

Shkup – Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë ka bërë të ditur se nuk ka të regjistruar raste të bakteries vdekjeprurëse, Eshiria Koli te perimet. MSH ka bërë të ditur se nuk ka nevojë për panik, sepse deri tani tek ne nuk është regjistruar asnjë rast.

Bakteria vdekjeprurëse ka goditur tregjet e vendit dhe sidomos vendet prodhuese në Maqedoni, siç është Strumica, e cila njihet si eksportuese e sasive të konsiderueshme të perimeve, kryesisht domateve dhe trangujve, të cilat janë përmendur si dy zarzavatet më të goditura nga bateria Eshiria koli. Komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë për sëmundje infektive ka apeluar deri te qytetarët që të respektojnë disa masa për higjienë, që rregullisht qytetarët t’i pastrojnë duart, të pastrojnë me ujë të ngrohtë dhe të lënë për 15 minuta të gjitha zarzavatet që përdorin para përdorimit të tyre, konsumimin e ushqimeve të përpunuara, sidomos ushqimet që janë të përziera me perime.

Prodhuesit dhe tregtarët vendorë theksojnë se ka rënie të madhe të shitjes së këtyre dy perimeve, pas paralajmërimeve për përhapjen e virusit. Kompanitë tregtare vendore theksojnë se është ndërprerë eksporti i trangujve dhe domateve drejt tregjeve të vendeve ish-Jugosllave, apo ka porosi për sasi të vogla, si nga Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina. Në vendet e BE-së, gjegjësisht në Gjermani janë rritur shqetësimet lidhur me përhapjen e kësaj bakterie, ku vdiqën 15 veta, si dhe një rast tjetër në Suedi. Gjermania, Belgjika dhe Rusia kanë ndaluar importet e zarzavateve nga Spanja deri sa të përfundojnë hetimet. Por ministri spanjoll i bujqësisë i akuzoi këto vende se u nxituan në vendimin e tyre, pa pasur prova rreth origjinës së bakteries vdekjeprurëse.