Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 19:47

Shkup – Përfundimi i projektit, që qytetarët e Maqedonisë të kenë kartela elektronike shëndetësore, pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Nga Fondi për sigurim shëndetësor (FSSh) thonë se procesi për marrjen e KESh, është shumë kompleks dhe se fazat nëpër të cilat duhet të kalojë, duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze. Nga vonesat e paparashikuara apo moszbatimi i të gjitha detyrimeve, kryesisht nga punëdhënësit, do të sjellë vonesë të pajustifikueshme në sigurimin e KESh dhe mbi të gjitha funksionimin e saj në rang vendi. Marrëveshja publike për sigurim të KESh është lidhur mes Ministrisë së shëndetësisë së Maqedonisë (MSh) dhe Agjencisë për çështje tregtare në Zagreb, kurse marrëveshja për integrimin e sistemit informativ shëndetësor është mes MSh dhe firmës kroate C&T.

“Për të siguruar KESh janë paraparë katër kanale, i pari i përket komunikimit të FSSh me punëdhënësit në vend nëpërmjet institucioneve apo firmave, kanali i dytë është për sigurimin e KESh për të papunësuarit, i treti për pensionistët dhe i katërti për persona që do të kryejnë kërkesa të shkëputura. Afati për të dorëzuar të dhënat për personat që janë të siguruar nga institucionet është deri në 20 qershor”,kanë thënë në FSSh.