Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 19:22

Tiranë – Italia do të ndihmojë shëndetësinë shqiptare në fushën e transplanteve, ligji për të cilat u miratua javën e kaluar në Kuvend.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në krye të një delegacioni, po zhvillon një vizitë zyrtare në Romë, Itali, gjatë së cilës u nënshkrua edhe marrëveshja me Institutin Superior të Shëndetit në Romë dhe Ministrinë Italiane të Shëndetësisë.

Marrëveshja, që u firmos nga dy homologët, shqiptar dhe italian, përkatësisht Vasili dhe Ferrucio Fazzio, si dhe Presidenti i Institutit Superior të Shëndetit, parashikon bashkëpunimin në fushën e shëndetit publik, sëmundjeve infektive, etj.

Ministri Fazzio u shpreh i gatshëm të vizitojë Shqipërinë gjatë tetorit 2011, duke pranuar kështu me kënaqësi ftesën e ministrit Vasili. Të dy ministrat u shprehën të interesuar të zhvillojnë bashkëpunimin e gjatë në fushën e mjekësisë parandaluese dhe klinike. Gjatë vizitës, ministri Vasili pati një takim me drejtoreshën Mastrobono e spitalit universitar Torvergata, ndërsa u ra dakort në parim për një marrëveshje me ta.