Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 12:03

Prishtinë – Ndonëse ende nuk është bërë ndonjë analizë për Ligjin e punës, përkatësisht për atë se kënd e favorizon apo disfavorizon ky ligj, sot është diskutuar për pushimin e lehonisë.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, duke cilësuar se në të ardhmen sektori privat do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik, konsideron se Ligji i punës, nuk është i njëjtë për të gjitha kategoritë.

“Vetë ligji nuk i përfshinë të gjithë, përfshinë sektorin privat-publik, por jo shërbyesit civilë. Brenda vitit do të shikohet harmonizimi për të gjitha kategoritë, pa i ndarë shërbyesit civilë, shërbyesit publikë dhe shërbyesit privatë, dhe këtu sektori privat e sheh veten të diskriminuar, pse ky ligj ua jep të drejtën që për rreth 6 muaj të marrin rreth 70% të pagës”, ka thënë Shahini.

Agim Krasniqi, drejtor i Buxhetit, duke folur për dispozitat ligjore, nëse ato ndikojnë në punësimin e femrës apo jo, ka pranuar se në sektorin publik disa herë në përzgjedhjen e konkuruesve hezitojnë të pranojnë femër.

“Konkurset e fundit, që i kemi hapur në sektorin publik, duhet të pranojmë se ndonjë herë kemi hezituar nëse duhet të pranojmë një mashkull apo një femër. Dy arsye janë këtu: Nuk është problemi që një grua duhet të jetë në pushim 1 vit, por do të kemi probleme me zëvendësim, sepse ne nuk mund të gjejmë për një kohë aq të shkurtër një zëvendësim adekuat”, tha ai.

Në fund janë pajtuar se ky ligj kështu, ashtu siç është, ndihmon në ngritjen e natalitetit në vend.