Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 14:19

Prishtinë – Është hapur edicioni i dytë i panairit të punësimit në sektorin e turizmit, i organizuar nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës, në bashkëpunim me USAID-in, në të cilin rreth 45 kompani vendore ofrojnë 190 vende të lira pune në sektorin e turizmit.

Zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në sektorin e Turizmit, Xhynejd Ustaibo, tha se ky panair ofron mundësi për t’i sjellë më afër kërkesat dhe ofertat për tregun e punës, i cili sipas tij është ndër prioritetet e kësaj ministrie.

“Ky panair si aktivitet ka ofruar mundësi për të sjellë më afër ofertat dhe kërkesat në tregun e punës. Prapë po e theksoj, se njëri ndër prioritetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është nxitja e zhvillimit të biznesit, ku sektori privat mbetet prioritar dhe ndikon drejtpërdrejt dhe ndjeshëm, jo vetëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe në uljen e varfërisë dhe në zhvillimin e tregut të punës, rrjedhimisht edhe në uljen e nivelit të papunësisë”, u shpreh ai.

Panairi i sivjetmë për punësim në sektorin e turizmit është mbështetur nga USAID-i, dhe drejtoresha për zhvillim ekonomik në këtë shoqatë, Mary Hobs tha se krijimi i vendeve të lira të punës është një sfidë për të gjithë, por sipas saj ky panair është një mundësi e mirë për ta trajtuar këtë.

Ndërsa vetë organizatori i këtij panairi si dhe kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti, tha se sektori i turizmit dhe hotelerisë ka nevojë për ndryshime dhe panairi i sotëm, sipas tij, është mundësi e mirë për të ofruar mundësi punësimi për personat profesionist. Ndërkaq, sipas organizatorit, Baki Hoti, megjithëse panairi është njëditor do t`ia arrijë qëllimit që t’i punësojë 190 persona.