Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 10:28

Nju-Jork – Vendet e pasura ndërmorën angazhim para KB-së që të bashkëpunojnë për mjekimin universal të virusit të SIDA-s, që përfshin 15 milionë njerëz, deri në vitin 2015.

Angazhimi do të duhet të konkretizohet me masa të pashtyeshme dhe t’i vihet fundi ngrirjes së financimit të luftës kundër SIDA-s në nivel ndërkombëtar.

Tani për tani, megjithatë, nuk ka marrëveshje konkrete për pjesëmarrjen financiare të vendeve të caktuara.

Ministri brazilian i Punëve të Jashtme, Antoniu Patriota deklaroi se deklarata përfundimtare, e përpunuar pas përfundimit të negociatave të mbrëmshme në Nju-Jork dhe e cila do të miratohet në fund të takimit të kreut kushtuar luftës me sëmundjen, “është dokument mjaft i mirë”.

Tridhjetë vite pas zbulimit të virusit HIV, i cili e shkaktoi sëmundjen e SIDA-s, dhe i cili vazhdon të infektojë nga 7.000 njerëz në ditë, KB-ja po mban takim treditor të kreut për angazhimet e ardhshme të komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër SIDA-s.

Në forum marrin pjesë rreth tridhjetë liderë të shteteve dhe qeverive, kryesisht nga Afrika.

Në fund të vitit 2010, rreth 6. 6 milionë njerëz janë mjekuar nga SIDA në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që është 22 herë më shumë se në vitin 2001. Por, qëllimi i parashtruar në vitin 2010 për qasje të përgjithshme në mjekim, nuk është arritur.