Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 15:35

Kukës – Minimizimi i punësimit në të zezë nga biznesi privat kërkon një kontroll të vazhdueshëm dhe ndëshkim të atyre bizneseve që punësimin në të zezë e konsiderojnë si një nga mundësitë e rritjes së të ardhurave.

“Nga kontrollet e ushtruara është vërejtur se çdo muaj numri i të punësuarve në të zezë është i konsiderueshëm. Është kjo arsyeja që kemi kërkuar bashkëpunimin me specialistët e tatim taksave dhe pushtetin vendor”, thotë përgjegjësi i zyrës rajonale të kontrollit shtetëror në qarkun e Kukësit, Sokol Bela.

Vetëm gjatë këtij viti numri i të punësuarve të pasiguruar është i ndjeshëm. Kështu  në muajin janar nga kontrollet e ushtruara në biznesin privat, nga 88 të punësuar rezultuan 18 të pasiguruar, në muajin shkurt,  nga 100 të punësuar  rezultuan 27 të pasiguruar, në muajin mars nga 57 të punësuar të kontrolluar, rezultuan 16 të pasiguruar, në muajin prill nga 111 të punësuar të kontrolluar, 36 prej tyre ishin të pasiguruar. Bela thotë se numri i të punësuarve në biznesin privat të pasiguruar është i konsiderueshëm, ndërsa mungojnë masat për minimizimin e fenomenit.

Ndonëse fenomeni është i njohur, masat ndëshkuese ndaj biznesmenëve që e aplikojnë atë janë të pakta.  Është kjo arsyeja që në 710 biznese të vogla janë të siguruar vetëm 510 persona, edhe këto të afërm të biznesmenit, ndërsa punëtorët përgjithësisht janë të pasiguruar.

Fenomeni është më i  përhapur në biznesin e madh, veçanërisht në ndërtim etj, ku  pjesa më e mirë e punëtorëve punojnë të pasiguruar.