Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 19:59

Prishtinë – Kosova paiset me sistemin e ri të informimit për sëmundjet ngjitëse. Ky sistem do t’i ndihmojë Institutit Kombëtar për Shëndetin publik që të krijoj siguri më të madhe në luftën kundër sëmundjeve ngjitëse, thonë epidemiologët kosovarë. Tullaremia, brucelloza, ethet hemorragjike me sindrom veshkor, ethet hemorragjike – krime kongo, janë disa sëmundjet infektive nga të cilat, në Kosovë ende regjistrohen raste. Epidemiologu Jusuf Dedushaj, ndonëse e vlerëson sukses eliminimin e 9 sëmundjeve ngjitëse në vend, thotë se situata epidemiologjike nuk është e sigurt.

“Situata epidemiologjike në Kosovë mund të them është e pasigurt. Them kështu, sepse regjistrohen rreth 100 raste të sëmundjeve infektive brenda një viti, por që fatbardhësisht dominojnë ato që barten me ujë, ushqim dhe duar të papastra. Ne kemi problem me grupin e sëmundjeve, të cilat quhen zoonoza, ku janë në pyetje ethet hemorragjike me sindrom veshkor, ethe hemorragjike me krime kongo, brucelloza, tularemia”, tha Dedushaj.

Sëmundjet ngjitëse në vend, falë sistemit të ri të raportimit, do të mbikëqyren dhe do të monitorohen në mënyrë më të sofistikuar, garanton Naser Ramadani drejtor i Institutit Kombëtar për Shëndet Publik.

Ministri Ferid Agani, po ashtu pajtohet se informimi me kohë do të lehtësoj monitorimin e situatës në rastet e shfaqjes së ndonjë epidemie.

Sistemi i ri për mbikëqyrjen dhe monitorimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë është mbështetur nga OBSH-ja.