Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 18:28

Tiranë – Skema e sigurimeve shëndetësore ka njohur zgjerim, ndërsa janë përfshirë në të 17 % më shumë persona në vitin 2010 krahasuar me vitin 2009.

“Gjatë vitit 2010 janë përfshirë për herë të parë në skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, nëpërmjet pajisjes me librezë shëndeti 349,033 persona. Krahasuar me vitin 2009 janë përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësor rreth 17 % persona më shumë se në 2009 dhe 82 % më shumë se në vitin 2008″, tha sot për ATSH-në Gazmend Koduzi, drejtor i Kujdesit Parësor në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas tij, kjo tregon qartë sesi ka evoluar rritja progresive e përfshirjes së personave të rinj në skemën e sigurimeve shëndetësore nëpërmjet pajisjes me libreza shëndeti, si dokumenti kryesor i identifikimit te personave te siguruar.

Ndërkohë, lidhur me përfitimin nga skema e sigurimeve të kujdesit shëndetësor sipas paketës së shërbimeve shëndetësore që financohen nga ISKSH, gjate vitit 2010 nga mjekët e QSH janë kryer afërsisht 5.4 milion vizita, krahasuar me vitin 2009 janë kryer 10 % më shumë vizita dhe me 2008 janë kryer 33 % më shumë.

Koduzi tha se si një ndër treguesit kryesorë të zgjerimit të skemës edhe numri i përfituesve të barnave të rimbursuara nga skema e sigurimeve shëndetësore është rritur gjatë vitit të kaluar. Kështu, gjatë vitit 2010 kanë përfituar 391,846 persona receta me barna të rimbursuara, krahasuar me 2009 kemi një rritje prej 5 % më shumë dhe me 2008 rreth 22 % më shumë. Për këta persona në 2010, janë përshkruar rreth 3.2 milion receta me rimbursim, krahasuar me 2009 rreth 10 % më shumë dhe me 2008 rreth 23% më shumë, theksoi ai.