Lajme Shqip Wednesday, 21 December 2011 20:00

Berat – Menaxhimi i mbetjeve urbane mbetet një nga cështjet më problematike për qarkun e Beratit. Më e mprehtë është situata Berat, në qytetin emblemë të trashëgimisë kulturore e historike, që është nën mbrojtjen e UNESKO-s. Megjithëse në tre mandate rresht kryebashkiaku aktual Fadil Nasufi ka luajtur me kartën e mjedisit dhe të turizmit, tonelata me plehra të hedhura përgjatë shtratit të lumit Osum, e “akuzojnë” atë pasi ka dështuar në premtimet elektorale dhe refreni  i tij për mungesë fondesh është vjetëruar.

“Berati është një nga qytetet me pozicion gjeografik dhe terren natyror më të përshtatshëm për të qënë model i pastërtisë. Por, mungon impenjimi serioz i kryebashkiakut për të “shëruar” një herë e mirë “gangrenën” e mbetjeve urbane. Në dhjetë vjet ne drejtim të bashkisë, ai i ka patur të gjitha mundësitë për të zgjidhur këtë problem madhor nëse do t’i kishte shfrytëzuar të gjitha mundesite sipas premtimeve elektorale”, shprehet një qytetar beratas.

“Retë e tymit nga djegia e plehrave dhe mbetjeve urbane jane te padurueshme. Mirë kodrat e plehrave Nasufi nuk i shikon, pasi udhëton vetëm me makinë, po erën e rëndë dhe tymin që mbështjell qytetin, nuk i ndjen?”, thote qytetari N.Ibrahimi.

Një grup ekspertësh që përfaqesojnë një organizatë ndërkombëtare mjedisore (Grupi i Kërkimit dhe Zhvillimit të Europës), që nga muaji shtator ka nisur një studim dhe analizë të hollesishme të situatës mjedisore dhe vecanerisht menaxhimit të mbetjeve urbane. Nderkohe, te martën në qarkun e Beratit u zhvillua konferenca e parë për menaxhimin e mbetjeve urbane nën moton “Menaxhimi i mbetjeve dhe kujdesi per ambientin”. Ne te merrnin pjesë drejtuesit e njësive vendore, përfaqesues të Grupit te Kërkimit dhe Zhvillimit Europian, si dhe përfaqesues të një kompanie private, qe kanë dhënë sinjalet e para për të investuar në fushën e trajnimit të mbetjeve urbane.

Sipas kreut të qarkut Berat, Petrit Sina, vetëm në bashkinë e Beratit cdo vit hidhen në lumë rreth 21 mijë ton mbetje urbane dhe industriale, duke krijuar një situatë mjedisore mjaft problematike. “Mbetjet shpërndahen në rrugë dhe vende të papërshtatshme”, tha Sinaj.

Ndersa kryebashkiaku Nasufi, edhe në këtë konferencë përsëriti refrenin e njohur të fondeve.”Ndonëse problemet mjedisore për  bashkinë  janë primare, mungesa e investimeve ka bërë që mos të gjejë zgjidhje ky shqetësim. Ka ardhur momenti që kjo sfidë mos të përballohet vetëm nga ana e njësive vendore”, u shpreh Nasufi.