Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 12:43

Arrestohen hajdutët e vilave të politikanëve në Gjirin e Lalëzit Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e dy të rinjve të dyshuar si autorë të vjedhjes së disa banesave në zonën e Gjirit të Lalzit, përfshirë banesën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani

Dy të dyshuarit për vjedhje u arrestuan në zonën e Shijakut. Ata janë Arnold Karaj, 19 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë dhe Donald Vatnikaj, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Dy të rinjtë dyshohen si autorë të vjedhjes në banesën e Ristanit në Gjirin e Lalëzit, ku kanë marrë 1000 lekë të reja dhe një celular. Policia bën me dije se po këta shtetas dyshohet të kenë hyrë edhe në banesën e deputetit tjetër demokrat, ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, por pa arritur të marrin gjë.

Sipas policisë Karaj dhe Vatnikaj kanë hyrë edhe në të paktën dy banesa të tjera, nga ku kanë marrë para në shumë të vogla dhe celularë.