Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 20:09

Tiranë – Kolegji Zgjedhor është tërhequr për marrjen e vendimit mbi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kundërshton vendimin e KQZ-së për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Kolegji Zgjedhor, i cili ka si relator të çështjes gjyqtarin Tom Ndreca, u mblodh rreth orës 17:00 të pasdites së sotme, për të shqyrtuar provat materiale të dorëzuara sot në Kolegj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Trupa gjyqësore i kishte kërkuar KQZ-së të sjellë tabelat përmbyllëse të rezultateve të KZAZ-ve të Tiranës, në kuadër të shqyrtimit të ankimimit të socialistëve.

Partia Socialiste ka kërkuar nga Kolegji Zgjedhor pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ në datat 18 dhe 23 maj, që kanë të bëjnë me numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.

Kolegji do të verifikojë nëse tabelat janë përmbyllur para 18 majit, ditën kur KQZ-ja miratoi në parim aktin normativ, në bazë të të cilit nisi dhe numërimi i votave të kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara. Ky akt normativ dhe ky veprim kundërshtohet nga opozita.