Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 12:03

Tiranë – Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi ritheksoi sot faktin që “BE pret që procesi për zgjedhjet vendore të përmbyllet në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe në përputhje me ligjin”.

Gjatë një aktiviteti të organizuar te “Shkolla e Kuqe”, ku u ekspozuan punimet e nxënësve me temë “Ndotja e ajrit dhe trafiku ne Tiranë-siç e shoh unë”, diplomat i BE-së apeloi për certifikim të rezultati zgjedhor në përputhje me ligjin.

“Do doja të theksoja se procesi është shumë i rëndësishëm, pasi BE do të bëjë vlerësimin në fund të vitit për pjekurinë politike dhe demokratike të vendit”, deklaroi Sequi.

Ai vuri në dukje se “BE ka theksuar rëndësinë që ka procesi në tërësi ndonëse ai nuk ka përfunduar akoma”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e Eduart Kukan, i cili sugjeroi ndihmën e Komisionit të Venecias për zgjidhjen e situatës, në të cilën ndodhet procesi zgjedhor, Sequi u shpreh se”nuk mund të interpretoj ose të jap një kuptim citimeve të z.Kukan”.

Në përfundim, Ambasadori i BE-së theksoi se ndihet i frymëzuar nga “entuziazmi i fëmijëve të kësaj shkolle dhe kjo tregon se e ardhmja juaj është frymëzuese”.