Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 16:26

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi sot, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, se Kolegji Zgjedhor vijon të shkelë afatet dhe ende nuk ka dhënë asnjë argument për pushimin e padisë së PS-së ndaj vendimit të KQZ-së për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara, në garën për bashkinë e Tiranës.

Sipas Ramës, “ende nuk ka një vendim të arsyetuar të Kolegjit Zgjedhor për seancën e së premtes së shkuar”. Rama theksoi se Kolegji Zgjedhor me vendimin për të rrëzuar ankimin e opozitës për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, ka thelluar krizën 2-vjeçare politike në vend.

“Nga dhënia e drejtësisë në këtë çështje varet tërësia e punëve të këtij vendi dhe mënyra sesi do të zhvillohet jeta publike por edhe jeta e çdo shqiptari në këtë vend”, tha Rama, i cili shtoi se “nëse padrejtësia triumfon, kjo do të ishte shprehja e vulosjes së një procesi që kthen padrejtësinë në sistem”.

Sipas Ramës këtë herë parregullsitë u bënë hapur dhe kjo çështje tashmë është përtej kufijve të bashkësisë shqiptare.

“Opozita mbetet e interesuar për asistencë ndërkombëtare në lidhje me procesin zgjedhor të 8 majit, jo thjesht për rezultatin, por për fatet e vendit dhe të drejtësisë në Shqipëri. Opozita pranon marrjen e opinionit nga Komisioni i Venecias, apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar”, tha Rama.

Duke komentuar deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen, Rama u shpreh se ishte një shqetësim i hapur në lidhje me veprimtarinë e KQZ-së.