Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 09:47

Tiranë – Lideri i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se “në zgjedhjet e 8 majit u dha një mesazh i qartë se qytetarët dinë të votojnë si evropianë dhe se e meritojnë përparimin e vendit të tyre në BE. Këtij mesazhi duhet t’i përgjigjen të gjitha forcat dhe segmentet e politikës shqiptare”.

Gjatë mbledhjes së kryesisë së Përgjithshme të LSI-së, për analizën post-zgjedhore, Meta u shpreh se “të gjithë duhet të përmbushim detyrimet që kemi ndaj vendit dhe integrimi europian si një aspiratë mbarë kombëtare”.

“Sfidë e rëndësishme është përshpejtimi i proceseve integruese të vendit në BE dhe këto zgjedhje treguan qartë se qytetarët dinë të vlerësojnë atë alternativë që paraqet programe, që sillet në mënyrë qytetare dhe evropiane dhe jo alternativën e presionit të rrugës dhe akuzave boshe”, nënvizoi Meta.

Ai vuri në dukje se qytetarët shqiptarë dhanë më 8 maj një mesazh të fortë dhe evropian, duke dëshmuar se janë larguar njëherë e përgjithmonë nga alternativat e presionit të rrugës ndaj institucioneve të demokracisë.

“Ky mesazh është dhënë edhe pas 8 majit ndaj atyre që u përpoqën të impononin përmes presionit të rrugës rezultatet që dëshironin, duke nxitur konfrontimin me institucionet”, shtoi Meta.

Kreu i LSI-së theksoi se opozita po gabon që po i kundërvihet institucioneve sepse nuk fitoi.

“Asnjë forcë politike në Shqipëri nuk është kaq e përkryer sa të kenë të drejtë të ngrejnë pretendime të tilla, të cilat janë vetëm alibi për rezultatet që nuk i dëshirojnë. Nuk mund të jetë Kolegji një institucion i mirë kur rrëzon Ruzhdijen dhe një institucion i korruptuar kur merr një vendim të drejtë në përputhje me kërkesën 2 – vjeçare të opozitës”, deklaroi Meta.

Duke vlerësuar se nuk ka patur proces më transparent të numërimit të votave se sa në këto zgjedhje, sidomos në kryeqytet, Meta tha se “është gabimi më i madh t’i kundërvihesh institucioneve thjesht se nuk të pëlqen rezultati”.

Në përfundim kreu i LSI-së tha se “ne do të vazhdojmë të nxisim frymë e bashkëpunimit në interes të vendit dhe do të shtojmë energjitë poztive që janë të domosdoshme për politikën shqiptare pasi kjo është e vetmja rrugë që i jep vlerë forcave politike, por veçanërisht të ardhmes së vendit tonë”.