Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 16:06

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të vendosë të enjten pasdite lidhur me votat e kontestuara, të numëruara dhe të rivlerësuara, pas hapjes së 26 kutive, të cilat sipas kodit zgjedhor duhet të përfshihen në tabelën e rezultateve përmbledhëse për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Pas miratimit dy ditë më parë të kërkesës ankimore të PD-së për rivlerësim të votave të kontestuara në 26 qendra votimi, KQZ përfundoi dje procesin e numërimit të tyre, që i përkisnin katër KZAZ-ve të bashkisë Tiranë, ku në total rezultuan 13 vota të vlefshme në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, kundrejt 16 votave për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Duke përllogaritur rezultatin paraprak të KQZ-së të shpallur më 23 maj, ku kandidati i djathtë Lulzim Basha mori 81 vota më shumë se rivali i tij, Rama, pas përfundimit të numërimit të fletëve të kontestuara kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, kryeson me 78 vota, kundrejt kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Për të çuar deri në fund procedurën e miratimit të kërkesës ankimore të PD-së, pra ndryshimin e tabelës së rezultateve të Tiranës, e miratuar nga KQZ me vendimin nr. 711, duhet një shumicë e cilësuar.