Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 09:59

Tiranë – Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti, tha të martën për mediat se Komisioni Zgjedhor nuk ka më çështje të mbetur pezull lidhur me rezultatin e bashkisë në Tiranë, pasi tani gjithçka mbetet në dorë të Kolegjit Zgjedhor dhe më pas çertifikimi i kreut të ri të bashkisë së kryeqytetit nga ana e Gjykatës së Tiranës.

“Pa mbaruar ankimimet nga Kolegji Zgjedhor nuk mund të konstituohet dhe të fillojë nga puna kryetari i ri i bashkisë. Duhet të mbarojë ankimimi në Kolegj dhe pas kësaj, me vendimin nr. 711 të KQZ-së dhe me vendimin e Kolegjit, shkohet në Gjykatën e Tiranës dhe me gjyqtarin e vetëm vërtetohet mandati i kryetarit të bashkisë dhe më pas ai fillon punë”, sqaroi Kosovrasti.

Përfaqësuesi PD-së shpjegoi për mediat se KQZ-ja nuk çertifikon rezultatin për zgjedhjet lokale, ndërkohë që çertifikimi i rezultatit nga KQZ-ja për Tiranën është bërë në kushtet kur ai funksionoi si një KZAZ superiore.

“Vendimi nr. 711 për tabelat e rezultateve për kryeqytetin vërtet është miratuar nga KQZ, por në kushtet kur ky Komision kishte rolin e KZAZ-së superiore për Tiranën. Sipas kodit zgjedhor, në zgjedhjet lokale të gjithë kandidatët fitues të komunave dhe bashkive nuk shpallen fitues nga KQZ, por nga KZAZ-të. Edhe kandidati demokrat Lulzim Basha me vendimin nr.711 u shpall fitues nga ajo që u quajt KZAZ-ja superiore për Tiranën”, u shpreh Kosovrasti.