Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 09:44

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë sot në orën 10:00 kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kërkon shpallje të pavlefshme të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatin zgjedhor për bashkinë e Tiranës.

Ankimimi, që ka për relator gjyqtarin Tom Ndreca, kërkon pavlefshmërinë e aktit të miratuar me shumicë votash nga KQZ për numërimin e fletëvotimeve të rregullta për kryetar të bashkisë Tiranë, të hedhura në kutitë e gabuara, si dhe pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.

Një javë më parë (27 maj), Kolegji Zgjedhor nuk pranoi kërkesën e PS-së për bashkimin në një të këtyre objekt-padive, duke argumentuar se ky subjekt zgjedhor nuk kishte ndjekur procedurat e kërkuara në kërkesën e saj për të shtuar objekt padinë.

Për këtë arsye, PS hoqi dorë nga gjykimi i padisë vetëm për pavlefshmërinë e aktit për numërimin e fletëve të rregullta të votimit për kryetar të bashkisë Tiranë të hedhura në kutitë e gabuara, që ishte parashikuar të shqyrtohej sot nga Kolegji Zgjedhor dhe paraqiti një padi më të plotë, në të cilën përfshihet edhe kërkesa për pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.

Vendimi nr. 711 i KQZ-së i miratuar me votat e shumicës më 23 maj shpalli fitues për kryetar të bashkisë Tiranë, kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, i cili kryesonte me 81 vota kundrejt kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.